×
  • Lajme
  • Lajme

    Lajçak para takimit në Ohër: Nuk do të ishte serioze t’u thosha se ka marrëveshje

    Reporteri
    09 Mars 2023 | 20:34
    Miroslav Lajçak. Fotografi nga arkivi.

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për pritjet e BE-së nga takimi i 18 marsit në Ohër, çka tha se shpreson të shërbejë si mundësi për t’u dakorduar mbi aneksin e implementimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

    Lajçak nuk konsideron se marrëveshja është arritur ende, pasi sipas tij, pa dakordim mbi implementimin e saj, do të ishte joserioze të thojë se ka marrëveshje, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Emisari i BE-së ka treguar edhe hapat se si është paramenduar të arrihet deri në përmbylljen e procesit.

    “Hapi i parë ishte të pajtoheshim për propozimin dhe gjashtë muaj më parë nuk do të vinit bast se do të ishim ku tani jemi. Hapi i dytë është finalizimi dhe finalizimi do të thotë ta dimë se si ajo do të zbatohet. Nuk do të ishte serioze të pretendoja për ju apo për publikun se kemi marrëveshje, kur nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes se si do të zbatohet marrëveshja”, theksoi Lajçak në ATV.

    “Dhe hapi i tretë është formalizimi, se si do ta miratojmë dhe se çfarë nënshkrimi do të jetë, kur apo në cilin vend do të ndodhë. Kështu që ka disa ide dhe ne do t’i diskutojmë, pro siç e thashë ky është hapi i tretë. Unë nuk pres ndonjë ceremoni nënshkrimi në Ohër, sepse ka shumë palë të cilat po mbështesin këtë proces dhe besojmë se do të ishte e drejtë që edhe ata të ishin pjesë e kësaj”, tha tutje ai.

    Për Lajçak, ambicia e Bashkimit Evropian është që në takimin e ardhshëm në Ohër, të arrihet pajtueshmëri nga të dy palët për hapin e dytë, që është procesi i zbatimit, pra implementimi i marrëveshjes.

    “Kjo është ambicia jonë. Unë me të vërtet besoj se do të kemi ambicien për t’u pajtuar për hapin e dytë, për pjesën e dytë të dokumentit, në mënyrë që ta mbyllin procesin”, tha ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!