Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka ndarë disa mesazhe paqeje në drejtim të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht komuniteteve etnike pakicë që jetojnë në secilën prej të dy vendeve.
Teksa foli për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizim, Lajçak tha se normalizimi s’mund të ndodh derisa mes Kosovës dhe Serbisë, mbizotëron një atmosferë armiqësore, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Nëse dëshironi të keni marrëveshje për normalizimin, duhet të tentoni të normalizoni atmosferën, të rrisni besimin ndërmjet njerëzve, ndërmjet njerëzve këtu, në Kosovë, ndërmjet shumicës dhe të themi popullsisë së serbëve të Kosovës, dhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Lajçak në ATV.
“Kështu që është naive të pritet një marrëveshje e madhe për normalizimin kur atmosfera është plot armiqësi dhe në terren kemi kriza dhe provokime, kështu që kjo është një logjikë e thjeshtë”, tha tutje.
Sipas Lajçak, për të arritur te synimi final, duhet filluar me hapa të vegjël; këtu, Lajçak përmendi zbutjen e krizave, të cilat mbizotëruan dukshëm vitin e kaluar.
“Gjashtë muajt e fundit të vitit të kaluar, ne patëm gjashtë kriza. A mund të diskutoni normalizimin kur të zbusni këto kriza? Andaj ne duhet të fillojmë me hapa të vegjël…”
Emisari shtoi se takimi i fundit Kurti-Vuçiq në Bruksel, ishte shembull kur flitet për qasjen që Kosova dhe Serbia duhet pasur.
“Do të thosha se takimi i fundit ishte më i miri kur bëhet fjalë për atmosferën. Palët ruajnë qëndrimet e tyre dhe nuk pajtohen në shumë gjëra, por këtë e bëjnë në shpirtin e respektit të ndërsjellë, që jo doemos ishte situata në takimet e para. Kjo veç është gjë e mirë”.
Mirëpo, i njëjti theksoi se, për momentin, niveli i besimit mes të dy palëve është i ulët. /Reporteri.net/.