Bekim Kabashi, gazetar dhe drejtor i gazetës online Reporteri.net, ka komentuar deklaratat e fundit të emisarit Miroslav Lajçak, lidhur me pritjet që ka BE-ja para takimit Kurti-Vuçiq në Ohër.
Kabashi theksoi veçanërisht një deklaratë të Lajçakut ku tha se ende nuk është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, pa u nënshkruar plani i zbatimit.
Sipas tij, kjo është e rëndësishme të theksohet pasi në opinion po mbizotëron një ide se marrëveshja veçse është arritur.
“Lajçak tha që ende s’kemi marrëveshje. Sepse këtu, momentet e para pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel, kishte dikah një entuziazëm, dikah kritika të mëdhaja sikur u krye marrëveshja. Përveç ShBA-ve, ambasadorëve, të gjithëve që kanë thonë që nuk ka marrëveshje, edhe Lajçak sonte e tha që nuk ka marrëveshje, sepse nuk ka kuptim të themi që ka marrëveshje nëse palët nuk e kanë nënshkru edhe planin e zbatimit”, deklaroi Kabashi në ATV.
Ai tha se Qeveria po pret që Serbia ta refuzojë marrëveshjen në takimin e 18 marsit, në mënyrë që Kosova të përfitojë lehtësisht.
“Shpresa e Qeverisë së Kosovës, e Lëvizjes Vetëvendosje është sikur, në fund, Serbia e refuzon me pranu marrëveshjen dhe i faturohet dështimi Serbisë. Kosova, në të kalumen ka përfitu. Unë nuk p’e shoh që ka me qenë kështu. Kom pa gatishmëri më të madhe prej Serbisë”, u shpreh Kabashi.
“Unë mendoj që takimi i Ohrit ka me prodhu edhe një proces tjetër, në kuptimin që bashkësia ndërkombëtare kanë me punu me palët për me mbërri me gjetë një pajtim për planin e zbatimit pasi aty është komplet çelësi i marrëveshjes”.
Sipas Kabashit, Kosova është vendosur në provë nga BE, që të shihet se sa i përkushtuar është kryeministri Kurti ndaj arritjes së marrëveshjes, përmes themelimit të Asociacionit.
“Ka me u përball me atë se a po e bllokon, apo po i jep dritë të gjelbër kësaj marrëveshjeje. Kështu që, Vuçiqi është në pozicion më komod”, përfundoi gazetari Bekim Kabashi. /Reporteri.net/.