Paul James dikur ishte ikonë e futbollit kanadez, por droga e bëri që të humbas gjithçka, dhe të përfundojë në lypës rruge.
Edhe pse i lindur në Uells, Paul James u transferua në Kanada dhe u bë një nga emrat më të mëdhenj të futbollit në këtë vend. Paul James luajti 47 herë për kombëtaren që u kualifikua për herë të parë në Kupën e Botës në vitin 1986, e e cila priti deri në botërorin e Katarit në vitin 2022 që ta prekë edhe njëherë ngjarjen më të madhe të futbollit botëror, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Me paraqitjet e tij të shkëlqyera hyri edhe në Hall of Fame në Kanada.
Pika kryesore e karrierës së Paul James ishte Kupa e Botës 1986 në Meksikë, ku ai luajti të tre ndeshjet e fazës së grupeve. Në një kohë ai punonte edhe si trajner i kombëtares së të rinjve të Kanadasë dhe kishte të ardhura shumë të mira. Por ai zgjodhi rrugën e gabuar.
Gazetarët e Daily Mail kanë takuar tani 59-vjeçarin Paul James në rrugët e Londrës duke lypur për një copë bukë dhe një qindarkë. Ai erdhi atje para fillimit të pandemisë nga Kanadaja dhe qëndroi. Ndërsa ishte ulur në një batanije, ai tregoi për fatin e tij të trishtuar, për të cilin edhe vetë u pendua shumë.
Ai u largua nga Kanadaja në vitin 1998 pasi u bë e ditur se përdorte rregullisht kokainë. Ishte droga që e hodhi në fund. Fillimisht filloi të shiste gjithçka që kishte për të marrë një kokërr droge.
Në qershor të vitit të kaluar, nëna e tij vdiq dhe ai e mori vesh vetëm dy muaj më vonë. Ai thotë se prej katër vitesh nuk ka parë askënd nga familja dhe se kjo është dëshira e tij më e madhe tani. Ai beson se pas këtij rrëfimi do të mund të lidhet me të atin dhe t’i kthehet jetës normale.
Praktikisht u detyrua të largohej nga Universiteti York në Kanada, ku për herë të fundit ka punuar si trajner për ekipin e futbollit, për shkak të varësisë nga droga.
Para përfundimit të vitit 2016, ai mbeti pa punë dhe pa para. Me kalimin e viteve, ai punoi me kohë të pjesshme: shëtiti qentë, pastronte shtëpitë. Ai u nda edhe nga gruaja e tij Ashley Kelly. Ai mbeti pa gjithçka që zotëronte. /Reporteri.net