Autor: Rexhep Kameraj
Pas deklaratave kundërshtuese të opozitës ndaj propozimit evropian, me përjashtim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, zbarkoi në Prishtinë me një mision të qartë. Duke ia shtuar edhe reagimin e ShBA-ve, Lajçak, në emër të BE-së, përpos liderëve të shtetit, takoi secilin lider opozitar veç e veç, në përpjekje për t’i bindur se propozimi evropian nuk i bën dëm Kosovës. Por, a ia doli?
Vizita e Lajçakut në Kosovë, që nisi të enjten me takime me dy liderët e shtetit, Kurtin e Osmanin, vazhdoi të premten me takime njëpalëshe me liderët e partive të mëdha opozitare në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Emisari i Bashkimit Evropian, ditën e nisi me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, që mund të konsiderohet si takimi që pati më pak rezultat.
Në një deklarim publik pas takimit, Krasniqi deklaroi se partia e tij nuk ndryshon qëndrim lidhur me propozimin evropian, derisa u shpreh se PDK gjithmonë e ka mbështetur procesin e dialogut, por jo kur rezulton në marrëveshje të përkohshme.
“Fatkeqësisht ajo që kemi sot në tavolinë, është një marrëveshje e përkohshme, jo me njohjen e ndërsjellë por tashmë me Asociacionin në qendër”, theksoi Krasniqi para mediave, me një diskurs që përcillte shumë rezerva karshi propozimit.
Ai tha se si PDK nuk janë kundër Asociacionit, por se me këtë marrëveshje ka nene të caktuara që rrezikojnë të shkojnë përtej Asociacionit e përtej Kushtetutës.
“Sot kemi Asociacionin, të cilin ne nuk e kundërshtojmë, nuk e kemi kundërshtuar as më herët sepse ai kur të themelohet duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, por kemi nene të caktuara në marrëveshje që rrezikojnë të shkojnë përtej Asociacionit, e për më keq edhe përtej Kushtetutës”.
“Këto qëndrime tona nuk janë në kundërshtim me partnerët tanë ndërkombëtare, sepse ne gjithmonë kemi qenë në komunikim me ta”, u shpreh Krasniqi.
Të njëjtat pikëpamje, lideri i PDK-së ua kumtoi edhe kryesisë së partisë.
Sidoqoftë, një ton më shpresëdhënës e përshkroi deklarimin e vetë ndërmjetësuesit Miroslav Lajçak, i cili, pas takimeve, deklaroi se është optimist se marrëveshja do të përkrahet nga krerët e opozitës.
“Nuk jam i brengosur, jam optimist”, u shpreh Lajçak para gazetarëve.
Lajçak pas takimit me opozitën: Jam optimist se nuk do ta kundërshtojnë marrëveshjen
Lajçak, më të lehtë e pati punën me të dy liderët e tjerë, Abdixhikun e LDK-së dhe Haradinajn e AAK-së, të paktën bazuar në deklaratat për media nga të dy liderët e partive, transmeton Reporteri.net.
Ndonëse kërkoi sqarime për dy nene të propozimit, Lumir Abdixhiku u deklarua se LDK e mbështet marrëveshjen e BE-së, me përfshirjen edhe të ShBA-ve.
“LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, u theksua në deklaratë.
Në takim, “kryetari Abdixhiku i kërkoi z. Lajçak sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”.
Deklarata e tyre u përcoll edhe me kritika ndaj kryeministrit Kurti, që sipas LDK-së, ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë.
Mirëpo, njohja reciproke, nuk po e pengon AAK-në që ta përkrahë dokumentin.
Ramush Haradinaj i AAK-së, që në fakt është i vetmi që qysh herët pas dakordimit për marrëveshjen, u rreshtua pro saj, në takimin me Lajçak, rikonfirmoi mbështetjen e tij.
“Haradinaj e përcolli te Lajçak mendimin e AAK-së se ka të arritura në këtë dokument, e kuptojmë se nuk ka njohje reciproke, por marrëveshja përmban elemente që e nxjerrin Kosovën në një situatë krejt tjetër. Nuk ka ndryshim të qëndrimin të AAK-së, e mbështesim këtë marrëveshje”.
Kreu i AAK-së tha se kjo marrëveshje është me interes nacional, pasi që e siguron rrugëtimin e qëndrueshëm të Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
“Shpreha vlerësimin tim për unitetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetje të kësaj marrëveshje. E vlerësova lart angazhimin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në funksion të arritjes së marrëveshjes, rol i cili është jetik në zbatimin e saj”, deklaroi, ndër të tjera, Haradinaj, pas takimit.
Ndërmjetësuesi i procesit të dialogut, Miroslav Lajçak, tregoi se takimet patën për qëllim edhe informimin drejtpërsëdrejti të opozitës për pritjet që kanë ndërkombëtarët.
“Për mua, këto takime e kanë arritur qëllimin”, tha Lajçak, shkruan tutje gazeta online Reporteri.net.
Saga e marrëveshjes së arritur në Bruksel, të hënën e 27 shkurtit, do të zhvendoset në Maqedoni të Veriut, më 18 mars.
Bazuar në agjendën e bërë publike dje, takimi i radhës i Ohrit, do të fokusohet në arritjen e dakordimit për zbatimin e marrëveshjes.
Lajçak pas takimit me Kurtin: Tash e di më mirë se si e sheh Kosova aneksin e marrëveshjes
Në një intervistë që Lajçak dha po ashtu dje në ATV, tha se komuniteti ndërkombëtar pret që të dy palët të dakordohen mbi planin e zbatimit, pa të cilin shtoi se marrëveshja nuk qëndron.
“Le të jemi të qartë, arritja e marrëveshjes në Ohër do të përçonte një mesazh shumë të fuqishëm dhe pozitiv në mbarë botën dhe do të ketë ndikim shumë të madh në qëndrimin e Kosovës dhe Serbisë karshi Bashkimit Evropian”, theksoi ai, derisa shtoi se mosmarrëveshja do të përçonte mesazhe tejet negative.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm që ta nënshkruajë marrëveshjen të shtunën, deklaratë kjo e bërë pas takimit me Lajçakun, në zyren e tij.
“Në këtë frymë, ai [Kurti] gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, njoftoi Kryeministria.
Mirëpo, optimizëm i njëjtë nuk është parë së fundmi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili thotë se nuk do ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”. /Reporteri.net/.
Takimi në Ohër, Lajçak: Mosmarrëveshja do të përçonte mesazh shumë negativ