Lojtari i ri i Liverpoolit, Harvey Elliott, ka kërkuar falje përmes rrjeteve sociale, pas publikimit të një videoje në të cilën ai u duk se po e përqeshte yllin e Tottenhamit, Harry Kane.
16-vjeçari, i cili iu bashkua Liverpoolit nga Fulhami të dielën, e postoi një video të veten në Snapchat para një kohe, duke e imituar Harry Kane-in në një mënyrë ofenduese. Videoja e publikuar shkaktoi debat në rrjetet sociale, transmeton Gazeta Express.
Elliotti e përdori llogarinë e tij në rrjetin social Instagram për ta komentuar sjelljen e tij, duke insistuar se atij i vinte me të vërtetë keq për veprimet e bëra, pasi që ato nuk e përfaqësojnë atë si njeri.
“Do të doja të kërkoj falje me gjithë zemër për të gjitha ofendimet që u shkaktuan për shkak të videos time që është shpërndarë nëpër internet”, tha Elliot në Instagram.
“Videoja u incizua përderisa unë po tallesha me shokët e mi në një mjedis privat dhe nuk ishte e drejtuar te ndonjë individ, por unë e kuptoj se veprimet e mia ishin të pamatura dhe të pakuptimta.
“Do të doja ta theksoja se përmbajtja e kësaj videoje nuk më përfaqëson mua si person apo mënyrën se si jam rritur. Më vjen me të vërtetë keq”.
Në video shihej Elliott duke e përqeshur kapitenin e Kombëtares së Anglisë për zërin dhe theksin e tij të të folurit, si dhe duke e ofenduar. Kjo video u publikua të martën.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.