Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për dallavere me dokumente të falsifikuara gjatë aplikimit për një tender në Komunën e Gjilanit.
Sipas Policisë, i dyshuari A.K., kur kishte aplikuar në tender për “materiale për zyre”, kishte shfrytëzuar një dokument të vitit 2021, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Si pasojë, ai ka implikuar në mashtrim Ministrinë e Forcës së Sigurisë, dhe me atë referencë e ka fituar tenderin në shumë prej 155 mijë eurove, për çka edhe është arrestuar nga policia për veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në Prokurimin publik” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
“Andaj, sot më datë 13.03.2023, i dyshuari i lartcekur me iniciale është intervistuar në prezencë të avokatit të tij dhe pas intervistimit ndaj të dyshuarit nga Prokurori i shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim. /Reporteri.net/.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjilan, kanë kryer veprime hetimore/operative për disa muaj dhe kanë arritur të sigurojnë dëshmi se; i dyshuari me iniciale (A.K.) me rastin e ofertimit në tenderin ’’Furnizim me material për zyre’’ në Komunën e Gjilanit, kishte falsifikuar dhe dorëzuar referencën të lëshuar më herët në vitin 2021. Me këto referenca ai kishte implikuar Ministrinë e Forcës së sigurisë kinse kishte lëshuar ketë referencë për kompaninë e tij.
Me këto referenca i dyshuari kishte aplikuar në Komunën e Gjilanit në tenderin e lartshënuar duke fituar dhe firmosur kontratën me komunën e Gjilanit në vlerën njëqind e pesëdhjetë e pesë mijë euro (155,000€).
Me këto veprime i dyshuari, dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në Prokurimin publik” dhe “Falsifikim i dokumenteve”. Andaj, sot më datë 13.03.2023, i dyshuari i lartcekur me iniciale është intervistuar në prezencë të avokatit të tij dhe pas intervistimit ndaj të dyshuarit nga Prokurori i shtetit është lëshuar Aktvendim për ndalim dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.