Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq më 18 mars pritet të takohen në Ohër për të diskutuar për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.
Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimet e ndara do të zhvillohen duke filluar në ora 10:00, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq”, thuhet në njoftim.
Në Kosovë e Serbi ditët e fundit qëndroi edhe ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, i cili pati takimet me krerët e shtetit dhe liderët opozitarë në të dyja vendet.
Pasi ka marrë përshtypjet nga të dy palët, nga Kurti e Vuçiqi, Lajçak deklaroi se është i gatshëm t’i finalizojë përgatitjet për takimin e rëndësishëm të nivelit të lartë, në Maqedoni të Veriut, që pason atë të mbajtur në Bruksel, më 27 shkurt.
“Pasi kemi marrë komentet nga të dyja palët, tani do të finalizojmë përgatitjet tona përpara takimit në Ohër të shtunën”, theksoi emisari Miroslav Lajçak, pas takimit që pati dhe me Vuçiqin në Beograd.
Para se të shkonte në Beograd, Lajçak fillimisht u ndal në Kosovë, në një takim me kryeministrin Albin Kurti, të enjten.
Lajçak njoftoi se kjo vizitë, qëllim kryesor pati që BE të dijë se ku qëndron dhe si e sheh Kosova procesin e implementimit të propozimit evropian.
Ai pati deklaruar se takimi ishte frytdhënës, dhe se Kurti i ka dhënë më shumë informacione mbi qëndrimin e tij në këtë proces. /Reporteri.net/