×
  • Lajme
  • Lajme

    Kundërshtimet e opozitës ndaj planit evropian, Hovenier: PDK e LDK ta vënë interesin nacional para atij partiak

    Reporteri
    15 Mars 2023 | 12:50
    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier ka komentuar qëndrimet kundërshtuese të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndaj propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Në një takim me gazetarë, Hovenier i pyetur për rezervat që kanë dy partitë më të mëdha opozitare PDK dhe LDK, tha se është i bindur që në fund të dy subjektet do të vënë interesin nacional para atij partiak.

    Opozita e mbështet refuzimin e saj te mungesa e njohjes reciproke në një marrëveshje normalizuese mes Kosovës dhe Serbisë, që bëhet sipas propozimit evropian – ku nuk përmendet çështja e njohjes.

    Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ajo që ka Kosova tani është një marrëveshje e përkohshme jo me njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi, por me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në qendër.

    “Zotëri Lajçakut ia shpreha edhe një herë qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, rezervat që kemi për arsye të cilat i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Ne kemi qenë mbështetës të procesit të dialogut në vazhdimësi duke pritur një përfundim që sjell marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë. Ky ka qenë gjithmonë jo vetëm qëndrimi ynë, por edhe qasja e partnerëve ndërkombëtarë. Fatkeqësisht, ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme tashmë jo me njohjen e ndërsjellë, por me Asociacionin në qendër”, theksoi Krasniqi.

    Ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abidixhiku ka thënë se partia e tij konsideron që Kosovës i duhet vetëm marrëveshja me Serbinë që sjell njohjen reciproke dhe asnjë tjetër.

    “LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera gjatë javës ai.

    Shqetësimin rreth qëndrimeve të PDK-së e LDK-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shprehur edhe gjatë javës së kaluar në një përgjigje për Reporteri.net.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq më 18 mars pritet të takohen në Ohër për të diskutuar për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.

    Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimet e ndara do të zhvillohen duke filluar në ora 10:00, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq”, thuhet në njoftim.

    Siç raportoi dje Gazeta Online Reporteri.net, në Ohër të shtunën pritet të tjerë edhe I dërguari i posaçëm i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili sot do të jetë për vizitë në Beograd, e më pas edhe në Prishtinë.

    Në Kosovë e Serbi ditët e fundit qëndroi edhe ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, i cili pati takimet me krerët e shtetit dhe liderët opozitarë në të dyja vendet.

    Pasi ka marrë përshtypjet nga të dy palët, nga Kurti e Vuçiqi, Lajçak deklaroi se është i gatshëm t’i finalizojë përgatitjet për takimin e rëndësishëm të nivelit të lartë, në Maqedoni të Veriut, që pason atë të mbajtur në Bruksel, më 27 shkurt.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!