×
  • Lajme
  • Lajme

    Hovenier: Serbisë do t’i kërkohet njohja e Kosovës që të anëtarësohet në BE

    Reporteri
    15 Mars 2023 | 20:45
    Fotografi ilustruese.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë që kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian është njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

    “Unë nuk jam diplomat evropian, por me sa kam kuptuar unë nga kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mendoj se në kapitullin 35, Serbisë do t’i kërkohej që si kusht për t’u anëtarësuar në BE, ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë Hovenier në ATV.

    I pyetur nëse Serbia do ta nxjerrë Kosovën nga kushtetuta e saj, pasi ta ketë pranuar planin, ai tha se nuk ka parë që një gjë e tillë i kërkohet Serbisë në 11 pikat e planit.

    “Kjo është një pyetje e vështirë. Ju keni parë tekstin me njëmbëdhjetë pikat, apo njëmbëdhjetë nenet për të cilat ka pasur pajtim, ashtu siç kam parë edhe unë, unë nuk kam parë ndonjë adresim të kësaj çështjeje [se a do të obligohet Serbia ta largojë Kosovën nga kushtetuta e saj në këto 11 pika, andaj nuk besoj se ai ka qenë një element specifik i bisedimeve aktualisht” deklaroi ambasadori amerikan.

    Ndër të tjera, Hovenier tha se vizioni afatgjatë amerikan është që Kosova të jetë e anëtarësuar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

    “Por ajo çfarë do të thosha është vizioni afatgjatë. Dua ta përsëris se çfarë është vizioni afatgjatë amerikan dhe evropian për Kosovën: që është ta shohë atë të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike”.

    Sipas Hovenier, edhe Serbia ka aspiratë të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

    “Serbia gjithashtu e ndan këtë qëndrim. Ashtu siç e kuptoj unë, Serbia ka interesim të madh që të anëtarësohet në Bashkim Evropian, të paktën kjo është aspirata e deklaruar” tha ai.

    Ambasadori amerikan shtoi se tani fokusi i SHBA-ve ëshhtë ky hap i përkohshëm i cili do të krijojë një vend më pozitiv dhe më të qëndrushëm.

    “Fokusi ynë tani është për këtë hap të përkohshëm, që ripozicionon këtë marrëdhënie në një vend më pozitiv dhe të qëndrueshëm.” tha ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!