Një i mitur në Lipjan është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, nën dyshimet për tentim-vrasje ndaj dy personave.
Lajmin për gazetën online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Dyshimet janë se i mituri ka therur me mjet të mprehtë dy persona të tjerë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 13:40, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Lipjan. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar dy persona, të cilët dyshohet të kenë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë. Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia menjëherë ka identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar”, tha Ahmeti.
I dyshuari në fjalë është intervistuar dhe më pas është dërguar në qendër të mbajtjes.
“I dyshuari: E.K, mashkull (i mitur), pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes. Aktualisht hetuesit janë duke kryer procedurat e nevojshme lidhur me rastin i cili është cilësuar si Vrasje në tentativë”. /Reporteri.net/.