×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetja e LDK-së: Nuk kemi ndërruar qëndrim sa i përket marrëveshjes finale me Serbinë

    Reporteri
    16 Mars 2023 | 8:53

    Për marrëveshjen me Serbinë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se nuk kanë ndërruar qëndrim.

    Kështu të paktën po deklaron deputetja e kësaj partie, Valentina Bunjaku.

    Bunjaku në një intervistë për EO sqaron se për partinë që ajo përfaqëson një marrëveshje e pranueshme do të ishte ajo që ka njohjen finale në qendër.

    “Jo absolutisht dhe nuk duhet të prisni që ndryshon qëndrim Lidhja Demokratike e Kosovës. Ne në parlament, si dhe lidershipi ynë, kemi treguar se jemi pro bisedimeve me Serbinë, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe finale”, tha Bunjaku.

    Tutje ajo thotë se “Sa i përket bisedimeve teknike dy dekada më herët edhe qeveritë e kaluara kanë shtjelluar bisedime dhe mund të them që asnjëherë s’kemi ardhur deri tek qëllimi final që të jetë njohja finale në qendër”, tha Bunjaku.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq më 18 mars pritet të takohen në Ohër për të diskutuar për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.

    Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimet e ndara do të zhvillohen duke filluar në ora 10:00, ndërsa ai trepalësh pas mesditës.

    “Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq”, thuhet në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!