Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka filluar fazën e dytë të mobilizimit të ambasadorëve kundër Kosovës.
Në takime të ndara në Beograd, Daçiq ka njoftuar ambasadorët serbë në SHBA, Suedi, Argjentin e Algjeri për situatën në Kosovë dhe për veprimet siç i quan ai ‘të njëanshme të Prishtinës’, shkruajnë mediet serbe, transmeton lajmi.net.
“Por, ai i ka njoftuar edhe për bllokimin e Procesit të Brukselit për arritjen e një zgjidhjeje kompromisi”, njoftoi Ministria e Jashtme e Serbisë.
Daçiq ka urdhëruar ambasadorët të rritin angazhimin e tyre në përputhje me politikat e jashtme të politikës së Serbisë dhe siç i quan Daçiq ‘interesat kombëtare’ të pengimit të Kosovës.
Ambasadorët e vendeve të lartcekura i kanë prezantuar Daçiqit gjendjen në marrëdhëniet bilaterale të atyre vendeve me Serbinë.
Gjithashtu, ata i kanë thënë Daçiqit se do të punojnë me intensitet të lartë në pengimin e Kosovës në kohën kur po aplikon në organizata të shumta ndërkombëtare, sipas ministrisë së Daçiqit.
Ditë më parë, Daçiq, të njëjtin takim me të njëjtën përmbajtje e pati me ambasadorët e Serbisë në Portugali, Austri, Shqipëri, Nigeri dhe Këshillin e Europës, për angazhim të shtuar në përputhje me siç i quan ai “interesat kombëtare të Serbisë”.
Ky takim i Daçiçit me ambasadorët e Serbisë në vende të ndryshme të Europës dhe botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe SHBA-të ka të bëjë me agjendën e tij të ashpër anti-Kosovë.