Policia e Krujës ka arrestuar dy vëllezër të cilët kishin kultivuar 268 bimë kanabisi, në dy ambiente të përshtatura me llamba dhe pajisje të tjera elektrike, për kultivimin e bimëve narkotike.
“Në fshatin Qerekë, Krujë, në banesën e shtetasit Sh. H., u zbuluan 2 ambiente që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe që ishin përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura”. thuhet në njoftimin e policisë.
Në këtë mënyrë policia ka sekuestruar 268 bimë kanabisi, 51 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë dhe 51 rritës të energjisë elektrike.
“Si rezultat i veprimeve operacionale në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit Sh.H., 39 vjeç (pronari i banesës) dhe F. H., 32 vjeç (vëllai i pronarit të banesës), të dy banues në Qerekë, Krujë. Shtetasi F. H. ka kryer lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.