×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca takohet me Escobar në ShBA: Na garantuan se s’do të ketë Asociacion që cënon sovranitetin e Kosovës

    Reporteri
    28 Mars 2023 | 14:06

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë vizitës së tij zyrtare në ShBA ka takuar sot të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kryeparlamentari Konjufca ka bërë të ditur se me të kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend e rajon, procesin e dialogut si dhe Marrëveshjen e Ohrit.

    “Sot, në kuadër të vizitës sime zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Washington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli, takova Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar.

    Në takimin përmbajtësor me z.Escobar diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Konjufca.

    Tutje ai thotë se në këtë takim i ritheksuan Escobar qëndrimin e Kosovës se nuk mund të formohet kurrfarë Asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cënon sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, e si dhe morën garanci nga DASh për këtë.

    “Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

    Ndamë pikëpamje të njëjta që të vazhdojmë të punojmë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Kryeparlamentari Konjufca./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!