Ministri i Kulturës në Qeverinë Kurti, Hajrulla Çeku, ka thënë se plotësimi i kërkesës për “vetë-menaxhim” të komunitetit serb që jeton në Kosovë, duhet bërë duke përcjellur parimet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Çekut, ende nuk ekziston një model i qartë, mbi bazën e të cilit do të përmbushet ky kriter, por thotë që kryeministri Kurti i ka disa parime bazë të cilave do t’u përmbahet, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Unë nuk mendoj që kemi tashmë një model të kristalizuar se si duhet të realizohet ky detyrim që e kemi pas por që tashmë është pjesë e kësaj marrëveshje si vetmenaxhim për komunitetin serb që jeton në Kosovë. Ne i kemi disa parime bazë që i ka theksuar kryeministri. Parimi i parë është: Kushtetuta e Kosovës dhe opinioni i Kushtetutës për marrëveshjen e vitit 2015. Mund të mos përmendet as Kushtetuta as ai vendim i Kushtetueses që thotë 23 nene nuk janë në përputhje me Kushtetutën, por ato janë realitete të patejkalueshme. Edhe mund të krijohet një organizimi i ri këtu, por nesër prapë nuk e kalon testin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Çeku në T7.
Tutje, sipas ministrit Çeku, “Zajdenica” meqë nuk e kalon testin e Gjykatës Kushtetuese, ajo edhe mund të formohet por që bie prapë.
Ai tha se askush, përfshirë Kurtin, s’mund të shtyjë para diçka që nuk aprovohet nga Kushtetuesja.
“Është shtyllë e patejkalueshme. Kurti i ka thënë tri shtylla, e para është Kushtetuta. Pra ne mund ta bëjmë një Zajednicë çfarë po kërkojnë, por menjëherë shkon në Kushtetuese dhe bjen prapë. Kjo është e patejkalueshme. Këtë jo zoti Kurti, por askush nuk mundet me shty tutje. Çkado që bjen ndesh me Kushtetutën e Kosovës, që i bie karakteri mono-etnik, një pushtet i tretë ekzekutiv, d.m.th cenohet thelbi i Kushtetutës sonë. Qysh mundet dikush me bo këtë sen. Merr zotime sa dush, jep zotime sa dush, atë ditë që e themelon ti, nesër në Gjykatë Kushtetuese ta rrëzon”, deklaroi ai. /Reporteri.net/.