Ish-emisari presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i ka dalë në mbështetje ish-presidentit amerikan Donald Trump pas akuzës penale që i është ngritur.
Grenell ka thënë se një gjë e tillë po bëhet meqë demokratët janë të frikësuar dhe se përmes akuzës po përpiqen ta parandalojnë që të garojë për president.
“Unë do të qëndroj gjithmonë me Presidentin Trump. Demokratët janë aq të frikësuar prej tij sa po e akuzojnë atë që të përpiqen ta ndalojnë të kandidojë. Është joamerikane. Ata do të bëjnë gjithçka për pushtet”, ka shkruar Grenell.
Grenell ka thënë se tashmë është koha për t’u rreshtuar pas Trumpit, pavarësisht qëndrimeve politike.
“Ne nuk duhet t’i lejojmë demokratët që ta eleminojnë republikanin që nuk iu pëlqen”, ka shtuar tutje Grenell.
Një Juri e Madhe në Manhattan ka vendosur të padisë ish-presidentin amerikan Trump. Ky vendim pasoi një hetim nga Prokurori i Qarkut, Alvin Bragg me pretendimet se Trump falsifikoi dokumentet e biznesit kur i pagoi aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels 130,000 dollarë përmes avokatit të tij për ta bërë atë të mos fliste për lidhjen e tyre të dyshuar. E gjithë kjo ndodhi gjatë fushatës zgjedhore të Trump në vitin 2016.
Detajet e aktakuzës nuk dihen, por Trump është ish-presidenti i parë i SHBA-së që ndiqet penalisht.
Donald Trump pretendon se është viktimë e persekutimit politik dhe se është plotësisht i pafajshëm. /Reporteri.net/
Nën akuzë, Trump pritet të dorëzohet në polici javën e ardhshme