×
  • Lajme
  • Lajme

    KQZ: S’ka prag minimal të daljes së votuesve për zgjedhjet në veri

    Reporteri
    01 Prill 2023 | 10:08

    Legjislacioni në Kosovë nuk e ka përcaktuar pragun minimal të daljes së votuesve në zgjedhjet qendrore apo komunale. Kësisoj, mosdalja e shumicës së votuesve në veri të vendit nuk mund ta kontestojë procesin zgjedhor.

    Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë sqaruar njërën nga çështjet e debatueshme kohëve të fundit që ka të bëjë me pjesëmarrjen eventuale të ulët në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se në ligjet për zgjedhje nuk ka të vendosur ndonjë prag i daljes së qytetarëve.

    “As në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe as në Ligjin për zgjedhjet lokale nuk është e saktësuar se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në një proces zgjedhor, në mënyrë që pastaj rezultati të mund të certifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra, nuk ka ndonjë prag të vendosur për këtë çështje”, tha Elezi.

    Elezi ka thënë se KQZ-ja fton qytetarët me të drejtë vote nga këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese më 23 prill dhe se për të realizuar të drejtën e votës, ky institucion është duke vazhduar me përgatitjet.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 prillit dhe ne inkurajojmë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq apo Zubin Potok si dhe anëtarët në kuvendin komunal të Zveçanit apo Leposaviqit”, tha Elezi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!