×
  • Lajme
  • Lajme

    Nis gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    03 Prill 2023 | 9:50

    Ka nisur gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe deputetit të LVV-së Rexhep Selimi.

    Gjatë ditës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën hyrëse dhe për këtë i ka në dispozicion 5 orë.

    Pas kësaj, është mbrojtësi i viktimave që do të bëjë deklaratën hyrëse, e cila pritet të zgjasë deri në 45 minuta.

    Procesi do të vazhdojë me deklaratat hyrëse të ekipeve mbrojtëse.

    Krejt këto pritet të përfundojnë të mërkurën, më 5 prill, ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë më vonë me thirrjen e dëshmitarëve të prokurorisë.

    Nga arrestimi e deri te nisja e gjykimit të Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga sot (3 prill), do t’i dëgjojnë akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale më 4 nëntor të vitit 2020, ndërkaq Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, kjo aktakuzë iu konfirmua një ditë më vonë, pra më 5 nëntor.

    Sipas akuzës, së paku mes marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

    “Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

    “Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akuza.

    Ish-presidenti, Hashim Thaçi, asaj kohe doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku tregoi se iu është konfirmuar aktakuza dhe në të njëjtën kohë dha dorëheqje nga pozita e presidentit. Thaçi dha dorëheqje më 5 nëntor 2020 dhe u arrestua po atë ditë.

    Edhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e kishte bërë të njëjtën gjë përmes një konferencë për media. Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

    Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.

    Ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, para Dhomave të Specializuara u paraqit më 9 nëntor, ku u deklarua i pafajshëm, por edhe mbajti edhe një fjalim.

    E deputeti Rexhep Selimi, më 4 nëntor 2020 njoftoi se kishte marrë konfirmin për aktakuzë dhe se ishte nisur drejt Hagës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!