×
  • Lajme
  • Lajme

    ZPS: Motivi i kryerjes së krimeve ka qenë fitimi i pushtetit, shumica e viktimave ishin shqiptarë

    Reporteri
    03 Prill 2023 | 10:51

    Prokurori i specializuar, Alex Whiting, ka vazhduar me fjalën hyrëse ku ka deklaruar se katër të akuzuarit kanë qenë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm.

    Sipas tij, katër krerët e UCK-së, kanë mbështetur dhe zbatuar një politikë që vinte në shënjestër personat që shiheshin si bashkëpunëtorë, kolaboracionistë me Serbinë, por edhe persona që shiheshin se kundërshtonin UÇK-në apo përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    “Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës, njësojë si ata”, theksoi Whiting.

    “Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit, synonte burgosjen, keqtrajtimin, ndonjëherë vdekjen e të ndaluarve”, shtoi ai.

    Whiting ndër të tjera ka thënë se motivi i kryerjes së këtyre krimeve të pretenduara në aktakuzë nga ana e krerëve të UCK-së ka qenë për të fituar pushtet në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

    “Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej, nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë. Mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova për këto të dyja”, tha ai.
    Sipas tij, qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ka qenë aspak i fshehtë”, ka thënë prokurori Whiting.

    Ai ka thënë se kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj, por sipas tij, akuzat janë ngritur kundër katër personave, pasi sipas prokurorit, shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza.

    Sipas prokurorit, një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë gjatë procesit gjyqësor do të kenë “frikë” që të tregojnë për ato që kanë përjetuar.

    Sipas prokurorit gjatë shqyrtimit të provave do të vërtetohet roli i tyre në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, dhe do të vërtetohet se të njëjtit kishin postë të rëndësishme në UCK, dhe secili prej tyre kishte kompetenca autoritet dhe ndikim që iu bënë të mundur që të startonin dhe të ushtrojnë kontroll efektiv.

    Seanca është duke vazhduar.

    Gjate kësaj seance katër krerët e UCK-së, janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.

    Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga sot (3 prill), do t’i dëgjojnë akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale më 4 nëntor të vitit 2020, ndërkaq Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, kjo aktakuzë iu konfirmua një ditë më vonë, pra më 5 nëntor.

    Sipas akuzës, së paku mes marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

    “Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’).

    Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

    “Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akuza.

    Ish-presidenti, Hashim Thaçi, asaj kohe doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku tregoi se iu është konfirmuar aktakuza dhe në të njëjtën kohë dha dorëheqje nga pozita e presidentit. Thaçi dha dorëheqje më 5 nëntor 2020 dhe u arrestua po atë ditë.

    Edhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e kishte bërë të njëjtën gjë përmes një konferencë për media. Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

    Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.

    Ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, para Dhomave të Specializuara u paraqit më 9 nëntor, ku u deklarua i pafajshëm, por edhe mbajti edhe një fjalim.

    E deputeti Rexhep Selimi, më 4 nëntor 2020 njoftoi se kishte marrë konfirmimin për aktakuzë dhe se ishte nisur drejt Hagës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!