Në Gjykatën Speciale ndërsa është diskutuar për komunikatat e lëshuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës është përmendur edhe komunikata e shumëpërfolur numër 59, për të cilën me vite ish-deputeti Gani Geci ka kërkuar përgjegjësi se kush e ka shkruar.
Kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse, tha të hënën para trupit gjykues se ndër komunikatat më të përfolura ishte Komunikata nr.59, që dënonte “një linjë kolaboracionistësh”, e që bëhej fjalë për ish-luftëtarin Gani Geci.
“Thaçi e kishte pranuar se Shtabi komunikonte me komunikata. Komunikata 59 akuzoi një linjë e donin që ky person të bëhej objekt keqtrajtimi, në mos vdekjeje. Thaçi pretendonte se kjo komunikatë s’ishte lëshuar nga Shtabi, po nga individë keqdashës”, deklaroi ai.
Zyrtari i ZPS-së lëshoi edhe deklarimin e të akuzuarit tjetër, Rexhep Selimi, ku kishte deklaruar se komunikata nr.59 ishte shkruar nga Thaçi.
“Zoti Selimi edhe në intervistën e ZPS-së ka pohuar fjalët e tij. Ai ka thënë se Thaçi e kishte lexuar komunikatën me synimin për të shkatërruar personin në fjalë. Pas lufte, çfarë bëri zoti Thaçi? Iu largua përgjegjësisë, por ja që e nxori zbuluar një prej të akuzuarve”, thotë Prokuroria.
Zyra e Prokurorisë përmendi se për Komunikatën 59, Thaçi kishte deklaruar se ishte lëshuar “nga banhofat”.
“Në komunikatat zyrtare të Shtabit, kundërshtarët futeshin në të njëjtin grup me ata që bënin luftë speciale. Kritikat kundër taktikës dhe mbështetjes që kundërshtarët u jepnin zgjidhje alterantive konflikteve. Porosia ishte e qartë, çdo pajtim politik do të vjen në shënjestër pa mëshirë. Operacionet e veçanta ndaj atyre që quheshin kolaboracionistë kanë ndodhur”, u tha tutje nga Ferdinandusse