×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidenca reagon pas kërkesës së KPK-së për ta dekretuar kryeprokurorin: Erdhi si ultimatum, pa asnjë bazë ligjore

    Reporteri
    05 Prill 2023 | 18:53
    Fotografi ilustruese nga arkivi.

    Zyra e Presidencës ka reaguar pas kërkesës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për ta dekretuar urgjent Blerim Isufajn Kryeprokuror, kërkesë kjo që iu dërgua të mërkurën Presidentes Osmani.

    Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina, tha se në këtë shkresë të KPK-së, manipulohet e vërteta, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Nga Presidenca, këtë kërkesë të Këshillit po e konsiderojnë si ultimatum, dhe pa asnjë bazë ligjore. Si e tillë, thuhet në reagim, ajo nuk i kontribuon forcimit të integritetit të sistemit prokurorial në Kosovë.

    “Së këndejmi, konsiderojmë se shkresa e KPK-së nuk i kontribuon një synimi të tillë, i cili duhet të jetë objektiv i përbashkët. Së pari, Kushtetuta e njeh kompetencën e KPK-së për t’i propozuar Presidentes emrin e kandidatit për Kreprokuror të Shtetit, pas procedurave të zhvilluara në përputhje me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore. Këtu përfundon kompetenca kushtetues dhe ligjore e KPK-së. Prandaj, konsiderojmë se shkresat dhe kërkesat e tilla, të cilat në formë ultimative paraqiten nga KPK-ja në Zyrën e Presidentes, nuk kanë asnjë bazë normative ligjore”, thuhet në reagim.

    “Janë shterur të gjitha rrugët ligjore”, KPK i kërkon presidentes dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Tutje, bëhet e ditur se Presidentja do ta marrë vendimin në prill, kur edhe nuk do të ketë më ndonjë kontestim ligjor që po e pengon procesin e përzgjedhjes.

    “Së treti, Presidentja nuk ka asnjë afat shprehimor kushtetues apo ligjor për të vendosur për propozimin e KPK-së për Kryeprokurorin e Shtetit. Për më tepër, konsiderojmë se Kërkesa e KPK-së përmban pasaktësi faktike dhe ligjore, ndaj si e tillë është manipulative”, vazhdon komunikata.

    Në fund, nga Presidenca akuzuan KPK-në se po e dezinformon publikun. /Reporteri.net/.

    Reagimi i plotë:

    Sot jemi informuar, fillimisht nga mediat që Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka dërguar një kërkesë me shkrim në Presidencë, me të cilën ka kërkuar që Presidentja të dekretojë kandidatin e propozuar nga KPK-ja, për Kryeprokuror të Shtetit. Më vonë gjatë ditës, Presidenca e ka pranuar shkresën në fjalë nga KPK-ja. Në shkresën e saj, KPK-ja manipulon me të vërtetën.

    Siç e ka sqaruar Presidentja, gjatë komunikimit me drejtues të KPK-së dhe të sistemit prokurorial, si dhe në prononcimet publike, secili veprimi i Presidentes lidhur me këtë çështje mbështetet në mandatin e saj kushtetues të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve dhe ka qëllim të vetëm forcimin e integriteti të sistemit prokurorial dhe besueshmërisë së qytetarëve në këtë sistem. Konsiderojmë se edhe KPK-ja duhet ta ketë mision parësor të punës së tij integritetin dhe besueshmërinë qytetare të sistemit prokurorial. Së këndejmi, konsiderojmë se shkresa e KPK-së nuk i kontribuon një synimi të tillë, i cili duhet të jetë objektiv i përbashkët.

    Së pari, Kushtetuta e njeh kompetencën e KPK-së për t’i propozuar Presidentes emrin e kandidatit për Kreprokuror të Shtetit, pas procedurave të zhvilluara në përputhje me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore. Këtu përfundon kompetenca kushtetues dhe ligjore e KPK-së. Prandaj, konsiderojmë se shkresat dhe kërkesat e tilla, të cilat në formë ultimative paraqiten nga KPK-ja në Zyrën e Presidentes, nuk kanë asnjë bazë normative ligjore.

    Së dyti, Presidentja e ka sqaruar publikisht se, duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë, Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore. Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

    Së treti, Presidentja nuk ka asnjë afat shprehimor kushtetues apo ligjor për të vendosur për propozimin e KPK-së për Kryeprokurorin e Shtetit. Për më tepër, konsiderojmë se Kërkesa e KPK-së përmban pasaktësi faktike dhe ligjore, ndaj si e tillë është manipulative. KPK-ja me shkresën e saj dezinformon publikun se Gjykata Kushtetutese e ka shpallur lëndën “të pabazuar”, gjë që nuk është e vërtetë, sepse Kushtetuesja ka nxjerrë vetëm aktvendim për papranueshmëri për shkak të mosshterrjes së mjeteve juridike.

    KPK-ja po dezinformon edhe për vendimin e Gjykatës Supreme, duke konstatuar se ai vendim “ka vërtetuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim” dhe se “nuk ka gjetur shkelje formale e materiale të procedurës së rekrutimit”. Kjo është e pavërtetë, sepse vendimi i Gjykatës Supreme thjeshtë ka vërtetuar vendimet e gjykatave më të ulëta për paafatshmërinë e paraqitjes së padisë, por nuk i ka vlerësuar pretendimet për shkelje në procesin e emërimit të Kryeprokurorit.

    Kërkesa të tilla me përmbajtje të tillë skandaloze të bazuara në të pavërteta, janë në kundërshtim me parimin e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë së sistemit prokurorial, e për më tepër në kundërshtim me kushtetutën, sepse kanë keqinterpretuar vendimet e gjykatave të rregullta. Kjo cenon rëndë pavarësinë e këtyre gjykatave dhe vendos opinionin publik në lajthitje.

    Konsiderojmë se edhe KPK-ja, sikundër edhe secili institucion tjetër i drejtësisë duhet ta ketë mision parësor dhe të vetëm përmirësimin e sistemit të drejtësisë, e jo avancimin e agjendave apo interesave të caktuara personale apo grupore. Presidentja nga ana tjetër, e konsideron këtë mision të shenjtë dhe nuk ka asnjë formë presioni që do ta dekurajojë nga ky mision.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!