×
  • Lajme
  • Lajme

    “Edhe ju kryeministër dirigjoheni nga Dejona Mihali”, përplasje mes Musliut dhe Kurtit në Kuvend

    Reporteri
    06 Prill 2023 | 13:13

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, i ka kujtuar Kryeministrit Albin Kurti takimin e 26 marsit në Tiranë me presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryeparlamentaren Lindita Nikolla, duke i theksuar se në këtë takim të fundit ka qenë edhe Dejona Mihali, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Deputetja Musliu ka kërkuar nga Kurti që të dijë kontributin e Mihalit në këtë takim, por kryeministri i fundit tha se ajo është bashkëpunëtore e kahmotshme e tij.

    “Dejona Mihali është bashkëpunëtore e imja e kahmotshme, dhe ka rolin e saj si drejtuese e komiteteve profesionale dhe punës që bën në Kuvend për koordinimin me Grupin Parlamentar për nga fushat profesionale. Nuk ka qenë pjesë e takimeve me Presidentin Begaj e Rama, por vetëm me kryetaren Nikolla, për shkak të karakterit të punës së saj në parlament”, ka qenë arsyetimi i Kryeministrit Kurti.

    Pas kësaj, ka reaguar sërish Musliu e cila ka thënë se nëse do duhej të merrej një këshilltare, do duhej të merren të gjithë këshilltarët e grupeve parlamentare, dhe një gjë të tillë deputetja e PDK-së e ka quajtur shkelje të protkollit shtetëror.

    “Nëse është dashtë të merret një këshilltare, është dashtë të merren te gjithë këshilltarët e grupeve parlamentare dhe kjo është shkelje e protokollit shtetëror. Kjo tregon se ju jeni të varur nga direktivat e zonjës Mihali dhe kjo tregon se edhe ju si kryeministër i merrni direktivat nga ajo, e që nuk dihet se kush e dirigjon atë”, ka qenë kundërpëgjigjja e Musliut.

    Por, Kryeministri Kurti ironizoi me Musliun duke thënë se e mori si kompliment atë se çfarë i tha, pasi sipas tij i bie që me Qeverinë e tij ka shkuar gjithçka mirë.

    “Së pari me lëjoni të falenderoj për këtë kompliment, pas dy vite qeverisje, shikoni cfarë pytje më bëni. Ka ngel puna të më kapeni për Dejona Mihalin, dhe ky është kompliment, pasi gjithçka ka shkuar mirë dhe ka ngelur problemi me Dejonën. E dyta, këtë dua t’ja sqaroj edhe votuesve të juaj se Dejona është nga Tirana, dhe mënyra qysh pe shtroni pytjen menon najkush qe është nga Beogradi”, tha Kurti ndërsa pyeti Musliun se pse nuk mundet Dejona të vijë në Tiranë.

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se pjesëmarrja e Dejonës në takimin e 26 marsit është shpërdorim i taksave të qytetarëve të Kosovës dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!