×
  • Lajme
  • Lajme

    Ikën me një veturë me targa vendore, tre sulmuesit e Valon Sylës ende nuk janë kapur

    Reporteri
    12 Prill 2023 | 9:38

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

    Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se Syla është sulmuar nga tre persona, ende të panjohur për policinë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Të njëjtit pas sulmit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

    “Viktima mashkull kosovar me profesion gazetar, ka raportuar se tre të dyshuar deri më tani të pa njohur e kanë sulmuar fizikisht me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit. Rasti në procedurë hetimore nga njësitë relevante policore”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit të sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton lidhur me rastin e gazetarit V.S., i cili ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik nga tre persona, me ç’rast i njëjti ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Vetë Syla është deklaruar pas sulmit, me ç’rast ka njoftuar se kishte marrë përkujdesjen e mjekëve.

    Gazetari Valon Syla ishte sulmuar edhe njëherë tjetër, pas etiketimit që ua bëri mërgimtarëve. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!