×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti dhe Osmani, “mysafirët” që vijnë në sofër kur veçse po mblidhen troshat e fundit

    Reporteri
    12 Prill 2023 | 11:48

    Gazetari Valon Syla mbrëmë është sulmuar fizikisht nga tre persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, e që si pasojë mori lëndime në kokë, ku dhe u trajtua më pas në QKUK.

    Por, ani pse kanë kaluar mbi 12 orë nga sulmi ndaj Valon Sylës, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ende nuk e kanë dënuar këtë sulm, i dyti ky për gazetarin.

    Osmani në këtë rast kanë zgjedhur heshtjen, ndërsa ndryshe veproi Kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili dënoi sulmin qysh në orët e para kur ndodhi, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ndërsa vetëm pak minuta më parë, kur janë bërë gati plot 14 orë nga sulmi, ka reaguar nga Mbledhja e Qeverisë edhe Kryeministri, Albin Kurti, i cili kërkoi nga organet e rendit që të identifikohen sa më parë autorët dhe të sillen para drejtësisë.

    Syla, i cili ishte pjesë e emisionit “Pressing” në një debat që lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, tha se tre personat e dyshuar e kishin ndjekur atë me veturë deri te vendi ku dhe e sulmuan, në momentin që doli nga vetura e tij.

    E ndoqën, e sulmuan dhe ikën, si erdhi deri tek sulmi ndaj Valon Sylës

    Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë, rastin e Valon Sylës e ka cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”, ku për këtë pati reagim nga Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari. Kjo e fundit tha se “këtu fillon dështimi i shtetit me i siguru gazetarët”.

    Kusari ka thënë se sulmi fizik është sulmi gati më brutal ndaj gazetarëve dh shton se ky sulm nuk është lëndim i lehtë trupor.

    Sulmin ndaj gazetarit Syla, e dënoi edhe Qendra Evropiane për Liri të Medias e cila i bëri thirrje autoriteteve kosovare, që në mënyrë profesionale dhe të pavarur të zhvillojnë hetimet, e autorët të dalin para drejtësisë.

    Edhe krerët e partive opozitare reaguan ndaj këtij sulmi. Memli Krasniqi nga radhët e PDK-së tha se sulmi ndaj fjalës dhe medias së lirë është sulm ndaj vet shtetit, ndërsa kërkoi që sulmuesit të arrestohen e të dalin para drejtësisë.

    Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e cilësoi sulmin ndaj Valon Sylës si sulm ndaj fjalës së lirë dhe mendimit.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sulmin ndaj Sylës e ka quajtur të papranueshëm dhe akt qyqar.

    Ai iu bëri thirrje organeve të rendit që ta zbardhin këtë rast, pasi fjala e lirë është garancë e demokracisë në një shoqërie./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!