Serbia dje i ka dërguar Brukselit “propozimin e fundit” rreth çështjes së targave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kështu ka thënë sot presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Vuçiq thotë se ky propozim i ri është “më shumë se një kompromis”.
Këto komente Vuçiq i ka bërë nga Rashka ku ka filluar takimi i krerëve serbë me përfaqësuesit e Listës Serbe.
Në këtë takim, që është i hapur për publikun, Vuçiq foli edhe për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, që mbahen më 23 prill.
Ai u bëri thirrje qytetarëve në Kosovë që të jenë të bashkuar dhe të sillen sipas vendimeve që do të merren.
Gjatë takimit ai tha se Kosova është e interesuar që Serbia ta njohë atë de facto dhe de jure dhe se “ata nuk janë aspak të interesuar se kur do të krijohet Asociacioni” i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Vuçiq tha se duhet të formohet Asociacioni në mënyrë që serbët të kthehen në institucione.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri.
Ndërkohë, në Kosovë janë shprehur shqetësime për tensione të mundshme në këtë pjesë të vendit në prag të zgjedhjeve. Kjo pasi disa vetura që ishin regjistruar me targa RKS janë djegur në ditët e fundit.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar sot se ka tendencë të qartë që të destabilizohet veriu i Kosovës përpara zgjedhjeve të 23 prillit.
Ai ka theksuar se shtyrja e dytë e këtyre zgjedhjeve është e paarsyeshme. Sipas tij institucionet duhet të kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre ligjore e kushtetuese.
Kreu i legjislativit u ka bërë thirrje për qetësi të gjithë qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.
“Tash kemi nevojë për qetësi dhe ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në atë pjesë që të mos bien pre e veprimeve të cilat mendoj që dirigjohen, jo brenda Kosovës, por kryesisht në anën tjetër pra nga Serbia”, tha ai ndër të tjera. /Reporteri.net/