Kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviq, është shprehur i bindur se ka bërë gjënë e duhur kur kishte nënshkruar marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe.
Abazoviq tha se është një kryeministër i cili dëshiron t’i ndryshojë gjërat.
“Unë jam kryeministër që ka dëshirë t’i ndërrojë gjërat. Ata që kanë qejf të jetojnë në vitet e 90-ta, në status quo, ua pranoj si mendim. Por unë kam qenë drejt”, është shprehur Abazoviq në Klan Kosova, përcjell Reporteri.net.
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi tha se përpos me Kishën Ortodokse Serbe kanë edhe me Bashkësinë Islame, Hebreje si dhe atë Katolike.
“Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi është organizata më e madhe fetare. Kemi marrëveshje edhe me Bashkësinë Islame, Bashkësinë Herbreje, Kishën Katolike. Kemi dashur që t’i sjellim të gjithë në nivel sa i takon ligjit”.
Abazoviq këtë e quajti njohje duke thënë se kjo nuk ka ndodhur në 30 vjet qeverisje të Gjukanoviqit.
“Është hera e parë kur me marrëveshje kemi marrë obligime. Është njohje. Ata kanë hyrë në sistemin ligjor të Malit të Zi. Kjo nuk ka ndodhur përgjatë 30 vjetëve të Millo Gjukanoviqit, sepse kanë dashur që ta mbajnë si çështje që kur të vjen koha e zgjedhjeve ta aktivizojnë”, shtoi Abazoviq.
Dritan Abazoviq është në vizitë tre-ditore në Kosovë.
Ditën e nesërme ai do të takohet me homologun e tij, Albin Kurti pastaj edhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, krerët opozitarë, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi si dh ish-presidentët, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli./Reporteri.net./
https://reporteri.net/lajme/abazoviq-neser-per-vizite-ne-kosove-kryeministria-jep-detajet-e-takimit-me-kurtin/