Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi ministri i Financave Hekuran Murati e akuzoi LDK-në se për shkak të dërgimit në Kushtetuese të Ligjit për Çmimet Tavan, qytetarët po paguajnë më shtrenjtë vajin e grurin.
“Dy vite qeverisje me ankesa. Sot, Murati qenka anku se si LDK s’po e lejon me e shkelë Kushtetutën! Ligji për çmimet tavan nuk e adreson çështjen e inflacionit as atë të spekulimit me çmime. Ligjin të cilin LDK e ka ataku në Gjykatë Kushtetuese është në kundërshtim me Kushtetutën, respektivisht nenin 10 të saj. Ligji si i tillë do të mbyllte me mijëra biznese familjare në fshatra dhe lagje periferike duke krijuar situatë edhe më të favorshme për tregtarët e mdhenjë”, tha Bajrami.
Sipas saj, Kosova ka Ligj për Mbrojtjen e Konkurrencës, Inspektorat të Tregut dhe ka të gjithë mekanizmat e nevojshëm për të marrë masa, dhe se Qeveria duhet që pas dy vitesh pushim të fillojë punën.
“Krejt çka i duhet kësaj Qeverie është që pas dy viteve pushim me fillu me punu, që këto mekanizma me i shti në funksion dhe me i implementu ligjet që janë në fuqi. Qeveria, gjithashtu duhet me dalë në teren, me bisedu me biznese përtej oborrit të tyre, me pa si ju ka ndiku ngritja e çmimit të rrymës, me i pyet për politika të nevojshme fiskale, me i pyet për kostot e operimit të tyre dhe me pa se si mund të ju ndihmohet atyre për ta përballuar këtë situatë, për të ulë kostot dhe çmimet, shkurt Qeveria duhet me e kry punën sipas mandatit të dhënë”, ka shkruar Bajrami.