Në një fjalim para ligjvënësve në shtetin amerikan të Arizonës, në mars të vitit 2022 – vetëm disa javë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës – Vladimir Kara-Murza akuzoi “regjimin diktatorial të Kremlinit” për kryerje të “krimeve të luftës”.
Njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, u dënua të hënën e 17 prillit me 25 vjet heqje lirie nga një gjykatë në Moskë.
Akuzat për tradhti dhe vepra të tjera, vetë Kara-Murza i hodhi poshtë dhe i cilësoi si të motivuara politikisht.
Por, revolta e tij kundër Kremlinit ka nisur shumë kohë përpara se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës.
Me profesion historian, ai i ka paralajmëruar vazhdimisht liderët perëndimorë që të mos “zbuten” me Putinin, duke i krahasuar metodat e tij për “çmontimin e demokracisë dhe lirisë” me ato të diktatorit fashist italian, Benito Musolini.
Kara-Murza ka luajtur një rol udhëheqës – së bashku me mentorin e tij, Boris Nemtsov, i cili është vrarë në vitin 2015 – për të bindur Kongresin e SHBA-së që të miratojë një legjislacion të sanksioneve, që do t’i shënjestronte zyrtarët e korruptuar dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut në Rusi, përfshirë njerëzit e afërt me Putinin.
Puna e tij në avancimin e Aktit Magnitsky të vitit 2012, i cili i jep presidentit të SHBA-së autoritet për të ngrirë asetet amerikane të zyrtarëve të Qeverisë ruse dhe të biznesmenëve të akuzuar për shkelje të rënda, i ka kushtuar gati dy herë me jetë.
Kara-Murza është shtruar në spital në gjendje të rëndë në vitin 2015 dhe në vitin 2017, nën dyshimet se është helmuar qëllimisht derisa ka qenë në Rusi.
Autoritetet amerikane i kanë hetuar sëmundjet e tij si helmime të qëllimshme, kanë treguar dokumentet e Departamentit amerikan të Drejtësisë, të shqyrtuara ekskluzivisht nga Radio Evropa e Lirë në vitin 2020.
Të dhënat e Qeverisë amerikane kanë treguar gjithashtu se mjekët e kanë shqyrtuar mundësinë që ai të ketë qenë i helmuar me biotoksinë ose substancë radioaktive.
Kara-Murza ka besuar se ai ka qenë në shënjestër për shkak të mbështetjes së tij për Aktin Magnitsky. Ai ka thënë se Kremlini i Putinit u frikësohet vetëm protestave në rrugë më shumë se sanksioneve.
Kremlini ka lobuar shumë në Shtetet e Bashkuara në vitet 2010, për të bllokuar dhe më pas për të përmbysur Aktin Magnitsky, por pa sukses.
Legjislacioni ka marrë emrin e një avokati rus, i cili ka vdekur në një burg në Moskë, pasi ka ekspozuar disa prova të mashtrimit masiv tatimor, që kanë përfshirë edhe zyrtarë rusë.
Duke folur për Aktin Magnitsky në Kongresin amerikan, Kara-Murza e ka cilësuar atë si legjislacion “pro-rus” që godet drejtpërdrejt bashkëpunëtorët e Putinit.
Vendet e tjera perëndimore kanë miratuar më pas legjislacione të ngjashme, duke i dhënë goditje të reja regjimit rus.
Në mesin e njerëzve të parë që janë sanksionuar me Aktin Magnitsky, ka qenë Sergei Podoprigorov, gjykatës në gjyqin e Kara-Murzës.
Pas miratimit të Aktit Magnitsky, Kara-Murza ka vazhduar t’i inkurajojë Shtetet e Bashkuara që të rrisin numrin e rusëve që u nënshtrohen sanksioneve.