×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Liberalizimi i vizave është meritë e të gjithëve

    Reporteri
    18 Prill 2023 | 14:05

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se heqja e vizave nga Parlamenti Evropian është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve të Kosovës. 

    “Liberalizimi i vizave ndodhi sot. Nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën shengen. Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Paraprakisht, në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e vendit, kjo e fundit ia ka atribuuar vetes meritat për liberalizimin e vizave.

    “Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ia ka lënë meritat Qeverisë Kurti për këtë vendim, duke thënë se është “konfirmim i punës sonë të palodhshme”.

    “Edhe një fitore e radhës e Republikës së Kosovës, sapo u finalizua procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Edhe pse moment gëzimi e konfirmim i punës sonë të palodhshme, nuk kemi kohë për të festuar sepse kemi shumë punë dhe sfida për të tejkaluar. Angazhimi ynë jo vetëm se është borxh ndaj të kaluarës por është edhe obligim ndaj të ardhmes së vendit tone”, ka shkruar Sveçla ndër të tjera.

    Kujtojmë se ky vendim do të nënshkruhet nesër zyrtarisht në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE’së. Në ceremoninë e nënshkrimit do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

    Vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit. Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!