×
  • Lajme
  • Lajme

    Hovenier: Kushtetuta e Kosovë garanton liritë fetare për të gjithë kosovarët

    Reporteri
    18 Prill 2023 | 18:19
    Ambasadori Jeffrey Hovenier me Kryepeshkopin Teodosije

    Për t’i shënuar Pashkët Ortodokse, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka takuar kryepeshkopin Teodosije.

    Hovenier tha se me klerikun ortodoks foli për çështje me rëndësi si ajo e lirisë fetare. Ambasadori amerikan theksoi se Kushtetuta garanton lirinë fetare për të gjithë qytetarët e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat fetare për të gjithë kosovarët, të cilët duhet të jenë të lirë të adhurojnë pa pengesa apo diskriminim”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

    Ai po ashtu ka dënuar një sulm që ka ndodhur në Prizren, ku disa persona të panjohur kanë tentuar t’ia vënë flakën derës së Kishës Ortodokse “Shën Pantelija” gjatë festave të Pashkëve Ortodokse.

    “Iu bëj thirrje autoriteteve ta hetojnë plotësisht krimin dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë”, ka thënë Hovenier.

    Policia e Kosovës njoftoi të martën se në Prizren është tentuar të digjet dera e kishës ortodokse “Shën Pantelija”.

    Sipas Policisë, disa të dyshuar kanë tentuar ta djegin atë, derisa një qytetar ka reaguar duke e fikur zjarrin pa u shkaktuar dëme të mëdha.

    “Patrulla policore i është përgjigjur rastit dhe me të arritur në vendngjarje konfirmojnë se në vendin e ngjarjes kundërmon era e benzinës dhe është një shishe e plastikës që është djegur”, thuhet në njoftimin e policisë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!