Të martën zyrtarisht është formuar Komiteti i Përbashkët Monitorues, i cili do ta monitorojë procesin e zbatimit të Aneksit të marrëveshjes së arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Për themelimin e Komitetit, ka njoftuar edhe Qeveria e Kosovës.
Përmes një komunikate për media, nga Qeveria kanë thënë se Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Çështja se kush do ta përfaqësojë secilën palë, ka qenë edhe temë diskutimi në takimin e fundit në nivel kryenegociatorësh mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq.
Siç tha Bislimi pas takimit, derisa Kosova thoshte se është mirë që kryenegociatorët të mos ‘përzihen’ në punët e Komitetit, Serbia e kishte kundërshtuar dukshëm këtë ide.
Rrjedhimisht, derisa Kosova ka zgjedhur ambasadorin e saj në Bruksel, Agron Bajrami, që ta përfaqësojë palën kosovare, Serbia ka zgjedhur kryenegociatorin Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, që ta përfaqësojë palën serbe.
“Siç parashihej dhe në pikën 6 të Aneksit të Zbatimit, Komiteti do të themelohej 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të Dialogut në Ohër, të mbajtur muajin e kaluar me datë 18 mars. Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Vendi ynë do të përfaqësohet nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbia nga kryenegociatori Petkoviq”, njoftoi ZKM-ja.
Komiteti i Përbashkët Monitorues pritet që për herë të parë të mblidhet pas takimit të kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq, i paraparë të zhvillohet më 2 maj, në Bruksel.
Në takimin e parë të Komitetit pritet që të caktohen pikat e referencës për takimet e ardhshme.
Komiteti do të zhvillojë takime të rregullta. /Reporteri.net/.