Nuk ka pasur sërish kuorum që të vazhdojë seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila paraprakisht është shtyrë për në orën 12:30.
Pas rreth 30 minutash, kryeparlamentari Galauk Konjufca njoftoi se Kuvendi sërish nuk e ka kuorumin e mjaftueshëm për të vazhduar me seancën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Konjufca paraprakisht ka kritikuar deputetët duke thënë se kjo legjislaturë nuk e meriton të vazhdojë për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve.
“Me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputetëve, kjo legjislaturë mendoj se nuk e meriton të vazhdojë”, ka thënë Konjufca.
Kuvendi planifikoi të mblidhej sot për gjashtë seanca të papërfunduara.
Edhe javën e kaluar, një seancë nuk u mbajt për shkak të mungesës së kuorumit.
Opozita kanë reaguar ashpër duke kritikuar pozitën se po dështon të sigurojë shumicën parlamentare.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas mungesës në dy seanca radhazi të kuorumit në Kuvendin e Kosovës.
Çitaku ka akuzuar VV-në se ani pse ka 50% të votave po dështon që të sigurojë shumicën e nevojshme, dhe se një gjë e tillë është papërgjegjësi nga ana e VV-së.
“Një parti që ka fituar mbi 50% të votave dështon në mënyrë të vazhdueshme të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend. Papërgjegjësi e skajshme”, ka shkruar nënkryetarja e PDK-së.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se vendi udhëhiqet nga një mazhorancë shumë e papërgjegjshme që nuk arrin t’i ketë 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
“Ne kemi ende pika të papërfunduara të agjendës së viti 2022. Kjo mënyrë e papërgjegjshme e drejtimit të këtij Kuvendi nga kjo mazhorancë duhet ta ketë një fund. Nuk mund të vazhdoj më kështu”, ka thënë Tahiri duke shtuar se jemi në kaos parlamentar.
Mirëpo, për deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, Kuvendi i Kosovës ka pasur kuorum për të filluar seancën e paraparë në orën 10:00, pasi në sallë, sipas saj ishin prezentë rreth 90 deputetë.
“Rregullorja e Kuvendit kërkon që seanca të filloj kur ka kuorum – pra kur janë 61 deputetë prezent. Ne ishim rreth 90”.
Problemi gjithë në këtë mes, sipas deputetes, qëndron në atë se pozita po kalkulon sa deputetë i kanë ata në sallë, pa e llogaritur fare opozitën.
“Pra, ne kot shkojmë aty, sepse rëndësi ka vetëm 50%-shi i parë (që nuk po arrijnë ta sigurojnë), jo dhe i dyti, dhe e gjithë kjo në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar Kica-Xhelili në rrjetin e saj social në Facebook.
Kritika ka shprehur edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Tahiri e ka quajtur të papranueshme dështimin e seancave për shkak të kuorumit.
Sipas tij, Kuvendi është kthyer në një lojë me numra që vjen si rrjedhojë e një qasje autoritare, e arbitrare të Qeverisë tash e dy vjet.Ai pohon se kjo qasje është e papranuehsme dhe është abuzim me besimin qytetar.
“Fatkeqësisht jeni dëshmitar edhe të një dështimi të seancës së Kuvendit. Ky dështim vjen si rrjedhojë e një qasje totalisht jo të përgjegjshme e jo serioze të mazhorancës. Na e shtyn seancën e parë për në ora 12:30 edhe kjo seancë dështoi për shkak se u mungojnë numrat”, tha Tahiri.
Kuvendi ka dështuar që të mbajë vazhdimin e seancës së mërkurën në mungesë të kuorumit.