Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që 22 gushti të jetë dita e votimit të shpërbërjes së kësaj legjislature, pas rënies së Qeverisë, javë më parë, me dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Në bazë të llogaritjeve të hapësirave kohore që jep Kushtetuta për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pas shpërbërjes së Kuvendit, data 6 tetor 2019 rezulton të jetë maksimumi që të caktohet si datë e zgjedhjeve.
Por, e gjitha është në dorë të Presidentit të vendit Hashim Thaçi. Ky i fundit pas shpërbërjes së Kuvendit, do t’i duhet të dekretojë vendimin e deputetëve dhe të caktojë datën e zgjedhjeve brenda 30 ditëve, apo më së largu 45 ditë, pas shpërbërjes së Kuvendit.
E burime të Gazetës Online “Reporteri.net” brenda presidencës tregojë se shefi i shtetit ka ndërmend që 6 tetorin të shpallë si ditë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kështu duke përdorur deri në fund afatin kushtetues që lejohet me aktin më të lartë të shëtit për tu organizuar zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kjo, sipas këtyre burimeve, arsyetohet me atë se tu jepet hapësirë të gjithave partive politike në vend që të janë të përgatitura me listat zgjedhore dhe programet e tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Dekretimi i shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, nga ana e Presidentit, sipas burimeve të “Reporteri.net”, parashihet të ndodhë më së largu një ditë pas votimit të 22 gushtit në Kuvend.
Ndryshe, votimi i shpërbërjes së Kuvendit më 22 gusht u caktua sot nga Kryesia e Kuvendit, pas mbledhjes së thirru nga kryeparlamentari Kadri Veseli. Ky i fundit, ftesat për këtë mbledhje ua dërgoi shefave të grupeve parlamentare të premten e shkuar, në të njëjtën ditë kur nga Presidenti Thaçi morri ftesë që si bartës i koalicionit PAN të mandatojë një tjetër emër për postin e Kryeministrit, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.
Haradinaj kishte dhënë dorëheqje javë më parë, me arsyetimin e se ka marrë ftesë për intervistim për krime lufte nga Prokuroria e Specializuar e Dhomave të Specializuara për Kosovën, e ashtuquajtur Gjykata Speciale. /Reporteri.net/.