Mediat në Shqipëri kanë publikuar disa pamje të administruara nga grupi hetimor që kanë fiksuar lëvizjet e autorëve para ekzekutimit të biznesmenit më 19 Prill.
Aty shfaqen 4 shtetasit britanikë, të cilët kishin rolin e vëzhguesit, mes të cilëve edhe një vajzë, si dhe vrasësi portugez Ruben Saraiva.
Sipas pamjeve të Panorama TV, personat e përfshirë në ngjarje shihen duke hyrë në hotel ‘Coral’, në pronësi të viktimës nën shoqërinë e shtetases angleze, Harriet Bridgeman.
Ata janë prezantuar si turistë, ndërsa shihet momenti kur britaniku Harry Simson, hyn në restorantin në pronësi të viktimës.
Fillimisht ai komunikon me një nga personat e punësuar dhe më pas ulet në një prej tavolinave. Siç e shihet në këtë video në dorë, ai ka telefonin me të cilin komunikon dhe që sipas grupit hetimor raporton për lëvizjet në brendësi të lokal.
Sipas hetuesve, çdo informacion që shtetasit anglezë e merrnin nga brenda hotelit, dyshohet se i përcillej vrasësit portugez, Ruben Saraiva.