Pas betimit si kryetar i Bashkisë së Tiranës për mandatin e dytë, Erion Veliaj tha se nuk do t’i zhgënjejë qytetarët dhe se do të punojë për vijimin e projekteve transformuese për kryeqytetin.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj u betua se do të bëjë më të mirën për Tiranën e shekullit të ri.
“Ju premtoj që nuk do t’ju zhgënjej dhe që do të vendos të gjithë energjinë time edhe të stafit, në përmbushje të çdo premtimi që kemi dhënë bashkë. Siç e tha kryeministri, sot nuk e kemi më luksin të krahasohemi me ata që shkuan, por sot kemi një detyrim të jashtëzakonshëm të krahasohemi me ambicien edhe me ëndrrat tona. Kështu që për ambicien, për ëndrrat dhe për të gjithë përkushtimin tonë, betohem para jush që do të bëj më të mirën për Tiranën e shekullit të ri”, theksoi Veliaj.
Në fjalën e tij, Veliaj renditi disa nga projektet që do të bëjë në këtë mandat të dytë, duke nisur që nga zona e lirë ekonomike që do i japë një impuls të ri ekonomisë, te nisja e punës për Kampusin e Ri Universitar.
“Dua që grupi që do të punojë për urbanistikën, menjëherë t’i bashkohet zv/ kryetarit, për të lehtësuar të gjithë procedurat për Kampusin e Ri Universitar.