Polici, Bashkim Ahmeti, dyshohet se ka tërhequr zvarrë me veturën e tij të tipit “Golg IV” në distancën prej 30 metrave, njërin prej dy kolegevë të tij të Njësisë Speciale (NJSI).
Situata është tensionuar aq shumë për shkak të një mosmarrëveshjeje në trafik, saqë në një moment Ahmeti ua ka nxjerrë armën policëve specialë Fehmi Shahini dhe Lumbardh Pestisha, raporton Sinjali.
Policët specialë ia kanë thyer xhamin e veturës Ahmetit në tentim për t’ia marrë armën.
Kjo e ka nervozuar Ahmetin, i cili e ka tërhequr zvarrë me veturë një nga kolegët e tij.
Përleshja ka ndodhur sot në orën 10:30 në rrugën“Mehmet Visoka”, në Prishtinë.
Rasti fillimisht është raportuar në Stacionin e Veriut në kryeqytet, më pas ka kaluar te Inspektorati Policor i Kosovës.
Tre policët janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe shumë shpejt pritet të bëhet e ditur se çfarë masash janë marrë ndaj tyre, ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.