Autor: Linda Ibrahimaj
Zyrtarët e pushtetit, qysh kur dolën në pah aferat korruptive në të cilat dyshohet se janë përfshirë njerëzit e afërt të tyre, si ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, si dhe Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, pa u menduar dy herë u rreshtuan përkrah tyre duke sulmuar gjyqësorin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kreu i Qeverisë, Albin Kurti e kishte marrë nën petkun e tij, Martin Berishajn sapo skandali doli në media, e madje edhe dje kur priti në zyrë Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, pas vetes kishte ambasadorin Berishaj i cili u shfaq i qetë e tejet i buzëqeshur.
E, takim me ministrin kroat pati edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e cila në konferencën e mbajtur për media, lëshoi “rrjetën mbrojtëse”, duke insistuar në fakte për skandalin financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Gërvalla gjithashtu tha se ambasadori Berishaj në Komisionin Parlamentar ka dhënë përgjigjet e tij, por Ministrja ka akuzuar anëtarët e këtij komisioni, që sipas saj fillimisht u pajtuan me deklaratën e Berishajt, e më pas thanë diçka tjetër.
Akuzat ndaj Martin Berishajt, Gërvalla: Mjaft më me supozime, duhen fakte në tavolinë
E nga Gërvalla, timonin e mbrojtjes për Martin Berishajn, e ka marrë sot në dorë, zëvendëkryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, i cili ka thënë se rasti i ambasadorit është konstrukt artificial i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë, ndërsa e ka quajtur edhe intelektual të shquar.
“Ju e dini shumë mirë që rasti i Martin Berishajt është konstrukt artificial i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor ndaj tij, është e turpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar si Martin Berishaj për ndonjë poen politik. Sikur Martin Berishaj të kishte prapa vetes ndonjë dënim mund të flisnim por të gjitha këto janë spekulime dhe është dokumentuar qartë se nuk ka asnjë të vërtetë në të”, tha Bislimi sot në Komisionin për Integrim Evropian.
Por, përveç Berishajt, Bislimi ka shfaqur “aftësitë e tij mbrojtëse” edhe ndaj Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili po dyshohet për korrupsion në këtë korporatë.
Bislimi tha se mëkati i vetëm që Nagip Krasniqi ka bërë është se i ka sjell profit KEK-ut, 107 milionë euro.
Zëvendëkryeministri Bislimi akuzoi prokurorinë që nuk po merret me rastet e tjera, që sipas tij janë 30 sosh denoncime në KEK, por po bën politikë me rastin e Nagip Krasniqit.
Theksojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se Krasniqi është arrestuar për kryerjen e tri veprave; “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”, ndërsa Ambasadori i Kosovës në Koraci, Martin Berishaj, ani pse i lirë, po hetohet nga Prokuroria Speciale për dyshimin në veprën penale “mos-raportim apo raportim i rremë i pasurisë”./Reporteri.net/