Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, është shprehur e bindur se Kuvendi i Kosovës do të shpërndahet në seancën që është paralajmëruar të mbahet më 22 gusht.
Musliu në Klan Kosova ka thënë se askush nuk duhet të japë garanci për shpërndarjen e Kuvendit duke iu referuar faktit se Vetëvendosja sot ka deponuar nënshkrimet për thirrjen e një seance të tillë.
Deputetja e PDK-së ka thënë se partitë opozitare ndonëse kanë kërkuar zgjedhje vazhdimisht nuk kanë qenë të përgatitura që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Por, ajo ka thënë se partia ku bën pjesë është partia që është më e përgatitura për të shkuar në zgjedhje.
“Mendoj se asnjë parti politike në Kosovë nuk është më e përgatitur se PDK-ja për të shkuar në zgjedhje. Pavarësisht momentumit se si ka ndodhur dorëheqja e kryeministrit, PDK-në është vështirë ta zësh në befasi sepse në çdo moment është e gatshme që të dalë para proceseve”, tha Musliu.