Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin me strukturat e PD-së në Roskovec bëri një skaner të kandidatëve të Ramës në bashkitë e vendit.
Basha përmendi emrat e gjithë kryebashkiakëve të rinj, që sipas tij kanë të shkuar kriminale dhe duhet të përjashtohen në bazë të ligjit të Dekriminalizimit.
“Çdokush që ka iluzionin se me Edi Ramën në krye të qeverisë mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të ekzaminojë kujtesën dhe të shohë faktet: Shikoni pseudobashkiakët e rinj: Valdrin Pjetri ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij dhe duhet të ndiqet penalisht. Edi Rama e kandidoi dhe tani urdhëron prokurorinë e korruptuar ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimi”, tha Basha.
“Pjerin Ndreu, në listën e zezë të partnerëve prej vitit 2003 dhe i larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, i kapur në përgjime në dosjen 184 duke urdhëruar shkarkimin e mësuesve që nuk votojne për PS, në vend që të ndiqej penalisht, e kandidon dhe e mbron Edi Rama. Artur Bushi i Krujës mbaroi një mandat si bashkiak trafikant në Itali dhe e rikandidoi. Dionis Imeraj, Valbona Sako, të dy të kapur në përgjimet e Dibrës, të dy mbrohen dhe promovohen nga Edi Rama”, vazhdoi Basha.
“Tërmet Peçi, Klement Ndoni, trafikantë droge, në vend që të shkojnë para drejtësisë, mbrohen dhe rikandidohen. Agim Kajmaku, i kandiduar në Vorë, i dënuar në Greqi. Rakip Suli, i kapur në vjedhje flagrante me tendera dhe qira shtetërore, në konflikt të hapur interesi me statusin e deputetit, në vend që të largohej si deputet dhe të ndiqej penalisht, e mbron dhe e promovon Edi Rama. Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën”, u shpreh Basha.
Lideri i opozitës u shpreh se largimi i Ramës, të cilin ai e përkufizon si Hajdut Psiqik, është sot edhe më urgjent dhe jetik për vendin se para 30 Qershorit.