Një aksident i rëndë u shënua pasditen e sotme në aksin rrugor Qafë Thanë – Prrenjas.
Mësohet se dy nga personat e plagosur janë transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Të plagosurit raportohen të jenë në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Në aksident u përfshinë një autobus dhe një makinë. Pas përplasjes, makina shpërtheu në flakë dhe për pasojë mbetën të plagosur 6 persona, dy prej tyre në gjendje më të rëndë.
Dëme materiale janë shkaktuar edhe tek autobusi. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të përcaktuar shkakun.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 16:20, në aksin rrugor Qafë Thanë – Prrenjas, autobusi që drejtohej nga shtetasi I. A., 51 vjeç, me drejtim lëvizjeje Pogradec – Prrenjas, është përplasur me automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi I. M., 28 vjeç, me drejtim lëvizjeje nga Prrenjasi në drejtim të Pogradecit.
Si pasojë e aksidentit automjeti tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore.
Gjithashtu, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtohej nga shtetasi I. A.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan dhe grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.