×
  • Lajme
  • Rajon

    Miliardat e Kinës për dezinformim, Rubin përmend edhe Serbinë si shpërndarëse të propagandës ruse

    Reporteri
    10 Qershor 2023 | 20:21

    James Rubin, koordinatori i Qendrës për Angazhim Global në Departamentin e Shtetit, një qendër që drejton përpjekjet amerikane jashtë vendit, kundër dezinformimit, thotë se Kina dhe Rusia po bëjnë fushata të fortë në këtë drejtim, në të gjithë botën.

    Një nga rajonet që ka qenë shpesh objektiv i dezinformimit është Ballkani. Gjatë një interviste me Zërin e Amerikës Nike Ching, zoti Rubin ndalet tek përpjekjet e Uashingtonit për të siguruar atë që e quajti integritet të informacionit në rajonin e Ballkanit, që ngjashëm me integritetin territorial, siç tha ai, nuk duhet të cënohet.

    Qendra për angazhim Global në Departamentin e Shtetit u krijua për drejtuar përpjekjet e qeverisë amerikane në ekspozimin dhe kundërshtimin e propagandës së huaj dezinformuese, shtetërore ose jo, që synon minimin e stabilitetit të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Drejtori i kësaj qendre, diplomati me përvojë James Rubin thotë se shpesh, një gazetar afrikan, aziatik, apo një gazetar në Amerikën Latine, lexon informacione që kanë në bazë pikëpamjen kineze mbi botën, ku shumica e gjërave raportohen me saktësi, por kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara, theksohen gjithë lajmet e këqija , ndërsa për Kinën, vetëm lajmet e mira.

    “Kjo është një pamje e shtrembëruar e realitetit. Për ne nuk përbën asnjë problem që Kina dhe Rusia të tregojnë këndvështrimin e tyre, apo që të gjitha vendet e tjera të paraqesin këndvështrimin e tyre. E rëndësishme është që burimi i lajmit të jetë transparent, të thuhet kush qëndron pas dhe të jetë tregu mediatik ai që vendos. Ne në Qendrën për Angazhim Global, përpiqemi t’u ofrojmë prova vendeve në mbarë botën, kur integriteti i hapësirës së tyre të informacionit, cënohet. Dhe kur ndodh një gjë e tillë ne kritikojmë rusët ose kinezët publikisht. Kina shpenzon miliarda dollarë për këto projekte. Ne jemi, ndoshta pak prapa në këtë aspekt, duke parë qasjen që ata kanë siguruar në pjesën tjetër të botës”, thotë ai.

    Një nga rajonet ku janë përqendruar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër dezinformimit është rajoni i Ballkanit, shpesh objekt i dezinformatave ruse. Uashingtoni ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Maqedoninë e Veriut, për të bashkëpunuar në këtë drejtim. Rubin thotë se nënshkrimi i këtij dokumenti, siguron angazhimin e këtij vendi për të trajtuar këtë problem, me të njëjtën urgjencë që Shtetet e Bashkuara e trajtojnë atë.

    “Ashtu siç është i rëndësishëm integriteti territorial, edhe integriteti i informacionit është i rëndësishëm. Ajo që zbuluam është se për shkak se mediat ‘RT’ dhe ‘Sputnik’ vazhdojnë ende të transmetojnë në Serbi, kjo po përdorej për të përçarë Maqedoninë e Veriut. Na takon ne, që të punojmë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut për t’u dhënë atyre kapacitetin për të garantuar integritin në hapësirën e informacionit dhe për t’u treguar kur Rusia vepron në prapaskenë, duke ndërhyrë në hapësirën e tyre të informacionit. Të përpiqemi t’u japim atyre mjete për të analizuar këtë ‘helmim’ të hapësirës së tyre të informacionin. Pra, kjo do të thotë të ndash praktikat më të mira për mediat e lira, kontrollin e fakteve, e ndërtimin e aftësive ripërtëritëse”.

    Mali i Zi gjithashtu ka ngritur shpesh alarmin për të fushata deziformimi. Vendi ndodhet përpara zgjedhje të parakohshme parlamentare që mbahen këtë të dielë, më 11 qershor. Zoti Rubin thotë se deri tani nuk ka informacione për përpjekje të aktorëve të huaj për të ndërhyrë në procesin zgjedhor.

    “Ajo që di është se Mali i Zi ka pasur një marrëdhënie politike me Serbinë. Serbia është i vetmi vend në Ballkan ku ‘RT’ dhe ‘Sputnik’ transmetojnë ende. Serbia ka gjithashtu versione në gjuhën serbe të ‘RT-së’ dhe ‘Sputnik-ut’. Pra, nëse jetoni në Mal të Zi, mund të lexoni dezinformatat ruse në serbisht, që vijnë nga Serbia. Pra në vetvete më shumë një sfidë që lidhet me ndërhyrjen nga jashtë në zgjedhje, është një sfidë për të bërë të mundur që ‘RT’ dhe ‘Sputnik’, të mos jenë në gjendje të shkaktojnë aq shumë dëme brenda Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut”.

    Rubin foli mbi nevojën e krijimit të një lloj koalicioni kundër cënimit të hapësirës së informacionit.

    Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të ndihmojë edhe vende të tjera si Bullgarinë dhe Sllovakinë, që të kenë në dispozicion mjete analitike për të hetuar shkeljet e hapësirës së informacionit, pasi siç tha ai, dobësitë e një vendi, mund të ndikojnë tek vendet e tjera.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!