×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Parku natyror i Vjosës, ekspertë vendas dhe të huaj dikutojnë për mbrojtjen e saj

    Reporteri
    12 Qershor 2023 | 18:02

    Pas shpalljes Park Kombëtar të lumit Vjosa dhe degëve të saj, ekspertët e mjedisit vendas dhe të huaj vazhdojnë përpjekjet për planifikimin e luginës së Vjosës, mbrojtjen e vlerave natyrore në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm.

    Një grup ekspertësh duke përfshirë edhe ata ndërkombëtarë po punojnë për hartimin e Planit të Menaxhimit, Masterplanit për Turizmin dhe një sërë dokumentesh të tjera për të vendosur në funksion Parkun e Vjosës.

    “Interesi është i lartë për ta zhvilluar luginën e Vjosës, interesi është i lartë edhe për ta ruajtur atë dhe besoj me shumë projekte që do të vijnë, do të ketë zhvillim infrastrukturor, do të ketë zhvillim të turizmit, por është shumë e rëndësishme të përmend këtu të turizmit natyror, pra një ekoturizëm dhe një turizëm i qëndrueshëm, i cili do ti sillte të ardhura banorëve të zonës për një kohë më të gjatë”, -tha Besiana Guri, eksperte mjedisi

    “Vjosa është një lumë unik për territorin e Shqipërisë, Europës dhe botës sepse është një nga lumenjtë e fundit të egër që ne kemi. Këtu në Gjirokastër është shumë i veçantë si shkak i gërshetimit të trashëgimisë kulturore si vlerë e UNESCO-s dhe pasurisë së këtij lumi fantastik. Pra janë mundësi të shkëlqyera për të mbrojtur Parkun e Vjosës në shërbim të zhvillimit të zones”,-tha Andrej Sovine, ekspert ndërkombëtar i mjedisit

    “Detyrimisht duhet marrë mendimi i komunitetit për vazhdimin e mëtejshëm të hapave si kryesisht në hartimin e Planit të Menaxhimit, zgjerimin e parkut dhe financimin, monitorimin dhe menaxhimin e tij në mënyrë që ky park të ruajë vlerat e tij si parku më i egër në Evropë, si parku më i virgjër dhe si parku më atraktiv që do të kemi në Shqipëri” ,-tha Grigor Dushi, Drejtor i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.

    Lumi Vjosa ka një gjatësi prej 270 km ndërsa degët e saj përshkojnë zonat e Përmetit, Gjirokastrës, Tepelenës duke përbërë një resurs të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomive lokale të tyre dhe veçanërisht të turizmit./Euronews.al

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!