Zëvëndës-kryeministri dhe ministër i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini, ka bërë të ditur, se ka nënshkruar vendimin për dëbimin e shtetasit të Kosovës, me inicialet M.M, për shkak të siç ka thënë, rrezikshmërisë për sigurinë e vendit.
Në anën tjetër, pas këtij vendimi, institucionet e Kosovës, kanë shprehur përkushtimin në luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.
Letlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, ka shkruar se Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me Italinë dhe të gjitha vendet tjera demokratike, për të luftuar çfarëdo “potenciali radikal me rrezik për sigurinë e cilitdo vend”.
“Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me Italinë dhe të gjitha vendet tjera demokratike, për të luftuar çfarëdo potenciali radikal me rrezik për sigurinë e cilitdo vend. Sot vetëm në partneritet dhe në koordinim, mund të ndjehemi të sigurtë si komunitet evropian dhe ndërkombëtar. Autoritetet tona do të merren me rastin, përderisa publiku do të informohet me kohë për epilogun”, ka shkruar Zyberaj.
Zyberaj nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë person. Por, bazuar në postimin e ministrit, Salvini, ai është 44 vjeçar nga Kosova, banor afër Sienës në Itali, dhe eksponent një qendre kulturore islamike.