Alternativa për Kosovën, caktimin e seancës për shpërndarjen e Kuvendit me datën 22 gusht, po e sheh si të qëllimshme, nga partitë që sipas do të tentojnë të gjejnë një zgjidhje pa zgjedhje.
Kryetarja e kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Ekonomia Online thotë se beson që partitë të jenë të sinqerta kur flasin për zgjedhjet e reja.
“Uroj që partitë të jenë shumë serioze edhe të sinqerta kur thërrasin për zgjedhje, ose kur thonë se janë të gatshme për zgjedhje. Fakti që e kemi një shtyrje kaq të madhe tregon se është blerë kohë në një kuptim klasik të fjalës për t’u munduar për të arritur ndonjë marrëveshje, ose ndonjë zgjidhje pa zgjedhje. Nuk mund të arsyetohet shtyrja ose dallimi një muaj nga dita kur kryeministri në largim Haradinaj dha dorëheqje, deri kur u bisedua për thirrjen e seancës në të cilën do të shpërndahej Kuvendi”, thotë ajo.
Deputetja Kusari-Lila thotë se çfarëdo kalkulimi për të krijuar një qeveri teknike, do të ishte shkelje e rënd e demokracisë në vend.
Sipas saj, një qeveri teknike do të ishte e mandatar vetëm për të vazhduar dialogun me Serbinë dhe assesi për t’i adresuar problemet dhe kërkesat e qytetarëve kosovarë.
“Çfarëdo kalkulimi, arnimi i qeverisë pa proces zgjedhor në Kosovë, do të ishte një shkelje e rëndë e demokracisë. Por në rast se agjenda e Kosovës përcaktohet dikund tjetër atëherë tregojmë se me të vërtetë nuk po prezantohemi si sovran, a po si ata që jemi vendimmarrës në shtetin tonë. Presidenti Thaçi me kompetencat që i përcakton Kushtetuta e Kosovës, prej momentin kur e ka marrë pozitën, ka ushtruar më tepër aktivitet sesa presidentët e mëhershëm”, thotë ajo.
Kusari-Lila thotë se duke e njohur të kaluarën e presidentit Thaçi, ai edhe mund të provojë një gjë të tillë, por që nuk do të jetë e dobishme për qytetarët e vendit, dhe se në Kosovë nuk do të mund të flitej më për demokraci.
“Ajo çka duhet të them është se në rrethanat në të cilat janë krijuar ai mund të gjejë ndonjë zgjidhje me partitë të cilat thonë se për hir të interesit të vendit janë bërë bashkë në qeveri. Por, ajo qeveri teknike, ose qeveri me mandat të caktuar për një temë dhe do të jetë vetëm në funksion të dialogut me Serbinë. Ajo qeveri nuk mund të adresojë interesat e qytetarëve të Kosovës, apo domosdoshmëritë me të cilat mandatohet një qeveri që t’i zgjidhë problemet e qytetarëve. Ajo qeveri do të mandatohej vetëm për procesin e dialogut i cili nuk ka ecur mirë këto vite ka qenë jotransparent dhe nuk është menaxhuar mirë dhe i cili ka qenë në pronësi të dy-tre personave, por jo informatë të gjerë për opinionin. Në rast se ndërtohet kjo qeveri vetëm për dialogun, atëherë demokracisë në Kosovë duhet me ia bë pauzë”, thotë ajo.
Për më tepër, kryetarja e Alternativës, dyshon nëse më 22 gusht do të shpërndahet Kuvendit, ngase sipas saj vakuumi kohor që është krijuar lë hapësirë për “zhvillime të papritura”.