Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka zhvilluar të enjten “një seri takimesh për menaxhimin e krizave”, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, Borell ka takuar sërish kryeministrin e Kosovës, Kurtin.
Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Vuçiq gjatë një konference për media ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin sepse nuk “sheh arsye për këtë”.
Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat.
Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”.
“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyqe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment”, tha tutje Vuçiq.
Më herët, Borell kishte shkruar në Twitter se “idetë konstruktive dhe gatishmëria për kompromis janë ato që nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veriun e Kosovës”.
“Nga palët pritet ulja e tensioneve dhe përmbushja e obligimeve të tyre, pa parakushte”, ka shkruar Borrell në rrjetin social Twitter, pas përfundimit të takimit me shefin e ekzekutivit kosovar, dhe në nisje të takimit me udhëheqësin serb.
Në anën tjetër, Kurti ka thënë se në takimin e Brukselit do të insistojë për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.
Tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe më 14 qershor.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve. SHBA-ja po ashtu ka inkurajuar Kurtin që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veritë kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.
Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri
Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave