Policia e Shtetit, ka arritur të arrestojë njërin nga gjashtë personat e dyshuar për kultivimin e narkotikëve në zonat të Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Fushë Arrëzit.
Sipas njoftimit të policisë, përgjatë tri ditëve policia në këto zona ka angazhuar 50 efektivë policie dhe 7 dronë, të cilët kanë arritur të kapin njërin nga gjashtë të dyshuarit dhe ti asgjësojnë 4999 bimë narkotike cannabis sativa.
“Identifikohen 6 autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. Kapet dhe vihet në pranga njëri prej tyre, vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë”, thuhet në njoftim të policisë.
Sipas policisë, nga total 4999 bimë narkotike cannabis sativa, 4180 bimë janë gjetur në fshatin Vajush, Malësi e Madhe; 697 bimë në fshatin Mali Kolaj, Shkodër; 75 bimë në fshatin Berishë e Vogël, Fushë Arrëz dhe 47 bimë në fshatin Repisht, Malësi e Madhe.
Prej autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike, policia ka arrestuar të dyshuarin P. Gj., 54 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Gj.Gj., 27 vjeç, K.Gj., 24 vjeç, N.Gj., 21 vjeç, M.H., 26 vjeç dhe F N., 33 vjeç, të gjithë banues në fshatrat ku u gjetën të kultivuara bimët narkotike.
Policia ka njoftuar se ende është duke vijuar puna intensive për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim.