×
  • Lajme
  • Lajme

    Ahmet Ismaili zgjidhet guvernator i BQK-së

    Reporteri
    13 Korrik 2023 | 23:43

    Me 56 vota nga deputetët e pranishëm në sallë, Ahmet Ismaili është zgjedhur guvernator i BQK-së.

    Ismaili si kundërkandidat e pati Lulzim Ismajlin, i cili mori vetëm 4 vota.

    Këta dy emra morën mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e 150-të të ekzekutivit.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, ky vendim do të përcillet në Kuvendin e Kosovës.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 150-të me radhë, në mënyrë elektronike, në të cilin ka miratuar vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë mendim lidhur me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”.

    “Me vendimin e miratuar, Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ky vendim do të përcillet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën për media.

    Paneli zgjedhor për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore ka dërguar në Qeveri dhe në Kuvend të Kosovës dy emrat e kandidatëve me më shumë pikë, të përzgjedhur për këtë pozitë.

    Në njoftimin e BQK-së thuhet se, mbështetur në Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Paneli për përzgjedhjen e Guvernatorit/es të Bankës Qendrore ka dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri, listën e kandidatëve të përzgjedhur si në vijim: Ahmet Ismaili – (84.67 pikë, nga 100 maksimale), Lulzim Ismajli – (73.67 pikë, nga 100 maksimale).

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kishte përsëritur konkursin për guvernator të ri pas dështimit të përzgjedhjes së guvernatorit nga Kuvendi i Kosovës.

    BQK-ja aktualisht udhëhiqet nga U.D. i guvernatorit, Bashkim Nurboja, i cili e ka marrë këtë detyrë pasi që Fehmi Mehmetit i ka skaduar mandati i guvernatorit më 29 mars të këtij viti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!