×
  • Lajme
  • Botë

    Ish-Presidenti Trump thotë se avokatët e tij janë takuar me ekipin e prokurorit të posaçëm Jack Smith

    Reporteri
    27 Korrik 2023 | 22:33
    Donald Trump, Ish-president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

    Avokatët e ish-Presidentit Donald Trump u takuan të enjten me anëtarët e ekipit të prokurorit të posaçëm Jack Smith, përpara ngritjes së mundshme të akuzave rreth përpjekjeve të ish-presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, tha një person në dijeni të çështjes.

    Në takim merrte pjesë edhe avokati i ish-Presidentit Trump, John Lauro, i tha personi agjencisë së lajmeve Associated Press, me kusht ruajtjen e anonimitetit.

    Hetimi është përqëndruar tek periudha e turbullt dymujore pas zgjedhjeve të nëntorit 2020 kur zoti Trump refuzoi të pranojë humbjen ndaj demokratit Joe Biden dhe përhapi pretendime të pavërtetuara se i ishte vjedhur fitorja. Paqëndrueshmëria rezultoi në sulmin më 6 janar 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, kur ndjekësit e tij besnikë hynë me forcë në godinë, sulmuan oficerët e policisë dhe ndërprenë numërimin në Kongres të votave elektorale. Mbi 1 mijë persona janë akuzuar tashmë për vepra penale federale në lidhje me sulmin ndaj Kapitolit.

    Në periudhën mes zgjedhjeve dhe sulmit në Kapitol, zoti Trump u bëri thirrje zyrtarëve lokalë të përmbysnin rezultatet në shtetet e tyre, ushtroi trysni ndaj Nënpresidentit Mike Pence që të ndalte çertifikimin e votave elektorale dhe pretendoi pa baza se zgjedhjet ishin manipuluar – megjithë faktin se zyrtarë të shumtë federalë dhe lokalë, një listë e gjatë gjykatash, zyrtarë të lartë të fushatës elektorale dhe madje edhe prokurori i tij i përgjithshëm kishin thënë se nuk kishte evidencë për manipulimin e pretenduar prej tij.

    Një zëdhënës i prokurorit të posaçëm Smith nuk pranoi të komentojë për takimin e të enjtes. Zoti Lauro, avokati i ish-Presidentit Trump, nuk iu përgjigj menjëherë një mesazhi ku i kërkohej të komentonte.

    Ish-Presidenti Trump u akuzua muajin e kaluar nga ekipi i prokurorit Smith për marrje dhe mbajtje të paligjshme të dokumentave të klasifikuara në pronën e tij Mar-a-Lago, në Palm Beach, të Floridas, si dhe për fshehjen e tyre nga hetuesit. Ai u akuzua gjithashtu në muajin mars në Nju Jork me akuza për falsifikim të të dhënave të sipërmarrjes, në lidhje me një pagesë për të siguruar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë. Gjithashtu, prokurorët në Qarkun Fulton, të Xhorxhias, po përgatisin njoftimin për akuza në javët në vazhdim në lidhje me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!