Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë një konference për media u pyet se sa ndjehet përgjegjëse për zhvillimet e fundit në ministrinë që ajo drejton, ku sot gjatë ditës u arrestuan dy zyrtarë nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë furnizimit me rezerva shtetërore.
Hajdari jo vetëm që nuk u pajtua të japë dorëheqje, mirëpo, në të kundërtën, tha se ndjehet shumë krenare me punën e saj si ministre, sidomos gjatë luftës në Ukrainë kur pati krizë për furnizim me miell, shkruan Reporteri.net.
Ministrja shpjegoi se vitin e kaluar, pra kur shpërtheu lufta në Ukrainë, ka qenë shumë e vështirë të sigurohet rezervë shtetërore, por tha se ajo ia doli “ta sigurojë popullatën e Kosovës” me miell e rezerva tjera.
“Unë ndihem shumë krenare që popullatën tonë, qytetarët tonë, i kam siguruar për mbijetesë në kohë krize gjatë luftës në Ukrainë, kur ishin të mbyllura të gjitha mundësitë për të marrë rezervë shtetërore nga shtetet fqinje apo më larg sepse të gjitha siguroheshin në vete për t’i ndalur rezervat, për t’i ndalur eksportet e mallrave bazike”.
“Prandaj, unë ndihem mëse krenare që kam shtuar sigurinë e popullatës sonë. Do kisha dashur që hetimet të fillojnë në atë kohë kur ishte lufta në Ukrainë, dhe kur ishin të gjithë kufinjt e mbyllur për eksportin e të gjitha mallrave bazike për mbijetesë. Për çfarëdo që ndodh, unë ndihem shumë krenare që popullatën tonë e kam siguru”, deklaroi Hajdari.
Edhe pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ministrja Rozeta Hajdari, tha se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga pozita.
“Unë nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe këtë e e them me përgjegjësi dhe siguri të plotë dhe nuk kam asnjë arsye ose dyshim tek zyrtarët që janë ndalur sot”, ka thënë Hajdari në një konferencë të jashtëzakonshme për media. /Reporteri.net/.